Në një intervistë televizive, Pashaj akuzon Agim Tarajn si personin që e ka kërcënuar dhe dhunuar në disa raste. Ai deklaron se ka bërë kallëzim penal dhe se çështja ndodhet në prokurori.
“Jam i goditur në kokë, jam i çarë. Dhuna fizike ndaj meje dhe familjes nuk ka nisur dje. Jam kërcënuar që në nëntor të vitit të kaluar nga Agim Taraj që të mos aplikoj për plazh. Unë kam një strukturë hoteliere dhe ligji më jep të drejtë për të pasur hapësirë plazhi. Kam investuar miliona euro,” – tha Pashaj.
Sipas tij, edhe pse ka marrë aprovim për 52 çadra nga Agjencia e Bregdetit, bashkia e Sarandës ka refuzuar të bëjë matjet dhe të finalizojë procedurat.
“Bashkia më tha ‘prit sot, prit nesër’, pastaj më njoftuan gojarisht se do të marr vetëm 20 çadra dhe pjesa tjetër t’i jepet Tarajt, i cili as nuk ka hotel, as strukturë akomoduese,” – tha ai.
Pashaj thotë se bashkia dhe Agjencia e Bregdetit hedhin përgjegjësitë tek njëra-tjetra, duke mos kryer detyrimet ligjore. Ai ka kontaktuar edhe ministren e Turizmit Mirela Kumbaro, por pa përgjigje.
“I kam dërguar mesazhe ministres Kumbaro, nuk më është përgjigjur. Edhe kryetari i bashkisë më tha në zyrë: ‘Merr 20 çadra dhe lërja pjesën tjetër Tarajt.’ Por kjo nuk është as ligjore, as e drejtë.”
Pashaj thotë se për shkak të mosveprimit të bashkisë, ka humbur afatet për dorëzimin e dokumentacionit, dhe si pasojë, Agjencia e Bregdetit nuk e kualifikoi më për vijën bregdetare, edhe pse fillimisht kishte marrë miratimin.
Ai shprehu zhgënjimin ndaj institucioneve lokale dhe qendrore, duke paralajmëruar se nëse drejtësia nuk do të veprojë, do të detyrohet të vetëmbrohet:
“Nëse drejtësia bën punën e vet, unë i besoj drejtësisë. Por nëse nuk vepron, unë do të vetëmbrohem. Nuk më mbetet gjë tjetër.”
“Më kërcënojnë prej muajsh”/ Pashaj pas dhunës në Ksamil: Bashkia luan pingpong, drejtësia hesht, po vetëmbrohem
