Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit, vendimin për krijimin e një organizate jofitimprurëse e cila do të trajnojë stafet e njësive të pushtetit vendor. Në vendimin e qeverisë, thuhet se autorizohet ministri përgjegjës për çështjet vendore për negocimin dhe firmosjen e marrëveshjes me njësitë e qeverisjes vendore për krijimin e personit juridik si subjekt i kompetencave të përbashkëta me vetëqeverisjen vendore, për rritjen e kapaciteteve të qeverisjes vendore në vendin tonë. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 14, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave.
Autorizimin e ministrit përgjegjës për çështjet vendore për negociimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes me njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas pikës 5, të nenit 14, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, për krijimin e subjektit të kompetencave të përbashkëta, në formën e organizatës jofitimprurëse, për zhvillimin e kualifikimin profesional të qëndrueshëm të të zgjedhurve, nëpunësve civilë dhe punonjësve të tjerë në njësitë e vetëqeverisjes vendore, me qëllim rritjen e performancës profesionale për t’u shërbyer komuniteteve dhe për t’i ndihmuar ato në përmbushjen e funksioneve të veta dhe kompetencave, sipas legjislacionit në fuqi, si dhe për përmbushjen e sfidave, që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Ndihmesa financiare konsiston në mbulimin e kostos fillestare të themelimit të subjektit të kompetencave të përbashkëta dhe të jo më pak se 50% të kostove operacionale të funksionimit të saj për tri vitet e para të funksionimit për përmbushjen e objektivave. Ministri përgjegjës për çështjet vendore merr pjesë në komitetin drejtues të subjektit të kompetencave të përbashkëta. Ndihmesa financiare, sipas pikës 2 të këtij vendimi, të parashikohet në buxhetin e Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore. Ministri përgjegjës për çështjet vendore sigurohet që, për programet e ofruara, të merret pëlqimi paraprak nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike për miratimin e programit vjetor të trajnimit, pa penguar zhvillimin e realizimin e tij, me përjashtim të rastit kur për module përkatëse vërtetohet se është kryer planifikimi për vitin akademik përkatës nga ana e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike. Ngarkohen ministri përgjegjës për çështjet vendore, Ministria e Financave dhe Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Shteti ka instrumentet, pse i delegon?
Në mënyrë paradoksale, qeveria e Edi Ramës vendos të krijojë një OJF për të trajnuar nëpunësit dhe stafin e pushtetit vendor, ndërkohë që ka institucione publike me përvojë dhe kuadër ligjor, që pikërisht janë të ngarkuar me këtë funksion. Kjo është absurde në një sistem normal, pasi shteti ka gjithë kapacitetin dhe strukturën për të trajnuar administratën, pa pasur nevojë të kalojë fonde dhe përgjegjësi te një entitet privat. Pra vendimi i Ramës tregon se nuk është thjesht zgjidhje teknike, por një shmangie e qëllimshme nga rrugët institucionale, që minon rolin e organeve publike në emër të një subjekti të ri me kompetenca të përbashkëta me pushtetin vendor, të cilit i jepet akses në fondet publike dhe ndikim politik.
A po ringrihet hija e Soros?
Vendimi vjen gjithashtu në një moment ku shumë prej OJF-ve të lidhura me Fondacionin Soros në Shqipëri janë gjendur në krizë, pas ndërprerjes së një sërë fondesh ndërkombëtare nga USAID. Gjatë ardhjes së administratës Trump në pushtet në janar, Shtetet e Bashkuara ndërprenë mbështetjen për shumë projekte të rrjetit Soros në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri. USAID kishte disbursuar rreth 189 milionë dollarë në projekte për Shqipërinë në periudhën 2020–2024, ku një pjesë e madhe përfundoi në duart e organizatave të lidhura me Open Society Foundation. Pezullimi i këtyre fondeve shkaktoi pushime masive nga puna dhe bllokim projektesh. Në këtë kontekst, vendimi i qeverisë për të krijuar një OJF të re të financuar direkt nga buxheti i shtetit dyshohet se është një përpjekje për të ringritur një rrjet të vjetër influencash, tashmë nën kontroll të plotë politik, për të zëvendësuar boshllëkun e lënë nga ndërprerja e mbështetjes së jashtme.
Pushtetin lokal Edi Rama e lë në dorën e OJF, ja iniciativa e dyshimtë që është marrë nga qeveria për të trajnuar…
