Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën për rinumërimin e votave, reagon Aulon Kalaja: E padrejtë, shihemi në SPAK

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor për të rrëzuar kërkesën e ish-kandidatit për deputet të PD, Aulon Kalaj, për rinumërimin e votave ka sjellë një reagim të menjëhershëm nga vetë ai. Në një deklaratë për mediat dje, Kalaja e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe të diktuar politikisht, duke akuzuar anëtarët e Kolegjit Zgjedhor se vepruan në mënyrë të njëanshme. “Vendim i turpshëm, i marrë pa u shqyrtuar ankimimi ynë 13-faqësh dhe pa na dhënë mundësi të dëgjohemi si palë paditëse”, tha Kalaja. Ai shtoi se pavarësisht këtij vendimi, beteja e tij për transparencën e votës nuk do të ndalet, duke paralajmëruar ndjekje ligjore në instanca më të larta. “Shihemi në SPAK dhe në Gjykatën Kushtetuese,” përfundoi Kalaja. Ish kandidati për deputet i ka cilësuar anëtarët e Kolegjit Zgjedhor si robotë, të cilët ishin programuar për të mos hapur kutitë e Qarkut Durrës.  “Kolegji Zgjedhor mori një vendim të turpshëm dhe jo të bazuar në ligj. Ndërkohë beteja ime do të vazhdojë në SPAK dhe Gjykatë Kushtetuese. Unë nuk tërhiqem.  Sot i ashtuquajturi Kolegj Zgjedhor, pa e lexuar fare ankimimin tim prej 13 faqesh dhe pa na dëgjuar fare ne, si palë paditëse, vendosi jo vetëm mos-legjitimimin tim si kandidat në proces, por edhe mos-legjitimimin e PLL, e cila mundësoi hapjen e një pjese të kutive të Qarkut Durrës, sadopak. Ata nuk ishin gjyqtarë, por robotë, të cilët i kishin programuar për të mos hapur kutitë e Qarkut Durrës. Nuk e di se ku të ankohesh dhe drejtësia është kthyer në iluzion. Ndaj unë sot kam disa pyetje:
1- Përse Qarku i Durrësit nuk u rinumërua i plotë si Tirana dhe Fieri?!
2- Përse nga 593 kuti që ka gjithsej Qarku Durrës, u vendos se do rinumëroheshin 290 dhe pastaj u rinumëruan 152 kuti?
3- Përse në Qarkun Durrës u anulua rinumërimi?! Çfarë fshihet pas?! Kush e urdhëroi?!
4- Përse u tërhoq KQZ nga rinumërimi ku diferenca ime u ngushtua me mbi 100 e kusur vota?!
5- Përse KAS nuk pranoi të hapeshin kutitë e parinunëruara ndërkohë që unë paraqita 8 video të reja si provë?!
6- A kam të drejtë të mar vesh se sa vota kam marë?! Një gerë më thanë se kam marë 8120, kurse tani më thanë se kam marë 8135 vota. Por për një gjë jam krenar, që nuk kam vjedhur asnjë votë, përkundrazi më kanë grabitur vota. Në respekt të qytetarëve që më besuan, do shkoj deri në fund. Këto pyetje dhe shumë të tjera do i drejtoja sot Kolegjit Zgjedhor, por ata mbyllën veshët dhe sytë dhe u treguan gjyqtarucë-robotikë, që shohin vetëm hallet e veta dhe nuk japin drejtësi. Madje as nuk i lexojnë ankimimet. Për këtë gjë i paguajmë, apo jo?! Nga unë keni këtë koment: Shihemi në SPAK dhe Gjykatë Kushtetuese”, thuhet në reagimin e plotë të Aulon Kalasë.