Grupi i biznesit BALFIN është drejt shitjes së dytë të kompanive të saj të tregtisë me pakicë brenda pak muajve.Autoriteti i Konkurrencës ka autorizuar shitjen e kompanisë Fashion Group Albania te kompania me kapital nga Kosova Albi Holding.Fashion Group Albania (FGA) ka për objekt aktiviteti importin dhe tregtimin e veshjeve dhe këpucëve. Shoqëria operon përmes rrjetit të saj të dyqaneve nën markën ndërkombëtare Aldo, Carpisa, Cortefiel, Geox, Mango, Okaidi, Parfois, Prenatal, Springfield, Woman Secrets, brenda territorit të Shqipërisë.FGA zotërohet në masën 100% nga grupi Balfin i biznesmenit shqiptar Samir Mane.Shoqëria blerëse Albi Holding është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar me objekt aktiviteti pjesëmarrjen, menaxhimin, ndjekjen dhe kontrollin e kuotave dhe aksioneve në pronësinë e shoqërive ku është ortake.Ajo është pjesë e Albi Group, i themeluar në Kosovë, i cili zotëron rrjetin e dyqaneve me produkte të modës që operon në Kosovë dhe rajon, duke përfaqësuar markat ndërkombëtare si: Celio, Chaussea, Okaidi, Mango, Springfield, Ozdilek, Geox, Gant, Timberland, Hugo Boss, Sportina Armani Exchange, Tom Tailor, XYZ, UGG, Plein Sport, Orsay, Dan John, Parfois, Boggi.Albi Holding zotërohet prej biznesmenëve nga Kosova Tahir Humolli, Sutki Humolli, Nexhat Humolli, Nehat Humolli dhe Betim Humolli.Deri më tani, Albi Group ka qenë e fokusuar në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo blerje do t’i mundësojë hyrjen në tregun shqiptar me një infrastrukturë të gatshme dhe të konsoliduar.Edhe pse shoqëritë Albi Holding, si pjesë e Albi Group, dhe FGA operojnë në të njëjtin treg përkatës produkti, Komisioni i Konkurrencës ka vlerësuar se transaksioni nuk do të sjellë ndryshime të strukturës së tregut në Shqipëri pasi Albi Group është aktive vetëm në Kosovë, në tregun e shitjes me pakicë të produkteve tekstile dhe të modës, përfshirë veshjet, këpucët dhe aksesorët, ndërsa FGA është aktiv vetëm në Shqipëri.Përqendrimi nuk do të krijojë mbivendosje ose marrëdhënie të rrjedhës së sipërme apo të poshtme midis aktiviteteve të palëve në nivel kombëtar dhe për këto arsye, transaksioni i synuar nuk do të sjellë ndryshime në tregun shqiptar.Për sa më sipër, Autoriteti i Konkurrencës ka arritur në përfundimin se ky përqendrim nuk shfaq shenja të kufizimit të konkurrencës në treg ose në një pjesë të tij në veçanti, si rezultat i krijimit ose forcimit të pozitës dominuese.Sipas pasqyrave më të fundit financiare, në vitin 2023, FGA raportoi xhiro prej afërsisht 1.1 miliardë lekësh dhe një fitim para tatimit në vlerën 116 milionë lekëve.Shitja e pritshme e FGA është e dyta e njoftuar nga grupi Balfin këtë vit, pas asaj të Spar Albania, te kompania nga Kosova Viva Fresh.Këto dy transaksione shënojnë një tërheqje të pjesshme të Balfin prej tregut të shitjeve me pakicë në Shqipëri.Balfin ngelet gjithsesi e pranishme në tregun e pajisjeve elektrike dhe elektroshtëpiake me kompaninë e saj më të hershme, Neptun, si edhe në tregun e shitjes së lodrave dhe pajisjeve shtëpiake dhe industriale, nëpërmjet Kid Zone (Jumbo).Ndërkohë, në qershor Balfin njoftoi se ka arritur marrëvehsjen për të shtrirë në Rajonin e Ballkanit Perëndimor rrjetin Flying Tiger Copenhagen, kompani daneze e shitjeve me pakicë, me një portofol produktesh të ngjashme me atë që tregtohen në rrjetin Jumbo. Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.
BALFIN shet edhe Fashion Group te rrjeti “homolog” nga Kosova
