Producentja e “American Idol” dhe bashkëshorti i saj gjenden të vrarë në banesën e tyre

Robin Kaye, një nga figurat kyçe të emisionit televiziv “American Idol”, dhe bashkëshorti i saj Thomas Deluca janë gjetur të vrarë në banesën e tyre në Los Angeles, në një rast që dyshohet të jetë vrasje e dyfishtë. Autoritetet kanë arrestuar të dyshuarin 22-vjeçar, Raymond Boodarian.

Policia e Los Angeles-it njoftoi se trupat e pajetë të çiftit, të cilët ishin qëlluar me armë zjarri, u zbuluan gjatë një kontrolli mirëqenieje në shtëpinë e tyre në White Oak Avenue, të hënën në orën 14:30. Paramedikët e zjarrfikëses i shpallën të vdekur në vendngjarje.
Gjatë hetimeve u zbulua se më 10 korrik, katër ditë para se të gjendeshin trupat, ishte bërë një telefonatë për një grabitje të dyshuar në të njëjtën adresë. Dyshohet se Boodarian ishte futur në banesë përmes një dere të hapur dhe qëndroi aty deri në kthimin e çiftit në shtëpi. Sipas policisë, një përballje ndodhi mes tyre, e cila përfundoi tragjikisht me vrasjen e Kaye dhe bashkëshortit të saj. Autori u largua nga vendngjarja në këmbë.

Në një deklaratë zyrtare, “American Idol” shprehu dhimbjen për humbjen e Kaye: “Robin ka qenë një shtyllë e familjes ‘Idol’ që nga viti 2009. Ajo ishte e dashur dhe e respektuar nga të gjithë. Do të mbetet përgjithmonë në zemrat tona.”
Robin Kaye ishte një emër i njohur në industrinë televizive të muzikës dhe argëtimit në SHBA. Ajo ka punuar në projekte të njohura si Lip Sync Battle, Hollywood Game Night, Miss USA, Miss Universe dhe The Singing Bee. Karrierën e nisi në Nashville me artistin Waylon Jennings, më pas u bë zëvendës presidente për zhvillimin e artistëve në MTM Records.
/vizionplus.tv

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *