Psikologia Ermela Shllaku, e ftuar në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, foli për një temë që prek shumicën e familjeve shqiptare gjatë verës: pushimet dhe stresi që vjen me to.
Sipas saj, edhe pse pushimet lidhen zakonisht me relaks dhe largim nga rutina, ato mbartin një stres të vetin, të cilin Shllaku e cilëson si “stres pozitiv”. Organizimi i udhëtimeve, pritshmëritë e larta dhe ndikimi i rrjeteve sociale janë ndër faktorët kryesorë që e shtojnë tensionin para dhe gjatë pushimeve.
“Kur shohim të tjerët në Instagram apo Facebook duke pushuar, krijohet një presion i heshtur që edhe ne duhet të kemi pushime perfekte. Por kjo është një iluzion që rrit stresin, në vend që ta ulë atë”, u shpreh Shllaku.
Ajo thekson rëndësinë e ndarjes së detyrave përpara nisjes në pushime dhe komunikimin me kolegët për të shmangur ndjesinë e mbingarkesës apo xhelozisë në punë.
Pushimet me fëmijë dhe ndjesia e fajit
Shllaku theksoi se pushimet ndryshojnë sipas fazave të jetës. “Prindërit që zgjedhin të pushojnë pa fëmijët shpesh ndihen fajtorë, por kjo është e gabuar. Është thelbësore të marrin kohë për veten, për të ‘karikuar bateritë’ dhe për të qenë më të shëndetshëm mendërisht,” tha ajo.
Kur gjyshërit ndërhyjnë tepër
Në shumë familje shqiptare, përfshirja e gjyshërve në çdo aspekt të pushimeve mund të sjellë tension. “Ka raste kur gjyshërit duan të organizojnë gjithçka sipas mënyrës së tyre dhe kjo mund të jetë burim konflikti, veçanërisht për çiftet e reja,” vlerëson psikologia.
Në fund, Shllaku thekson se pushimet nuk kanë nevojë të jenë perfekte për të qenë të bukura. Ato duhet të jenë autentike, të përshtatura me mundësitë reale dhe mbi të gjitha, të shërbejnë si një pauzë për mirëqenie emocionale dhe mendore.
/vizionplus.tv
