Sadushi: S’kam ndërhyrë në mandatin e kryetares së Kushtetueses, po mbahet peng Kuvendi për pozicionin vakant

Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi ka shpjeguar në emisionin “Ngjarja Kryesore” të gazetares Sonila Agostini përplasjen mes institucionit që ai drejton dhe Gjykatës Kushtetuese.
I pyetur mbi pretendimet se Sadushi ka ndërhyrë në mandatin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Sadushi u përgjigj se ai nuk ka “ndërhyrë në mandatin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese apo të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”
“Unë kam pasur dhe kam detyrimin si kryetar i Gjykatës së Lartë si organ emërtese për të zgjidhur çështjen që i takon kësaj gjykate në drejtim të gjyqtarit që ajo emëron në Gjykatën Kushtetuese. Nuk mund të themi tension, natyrisht ka një lloj qëndrimi të shprehur fillimisht po që sot, ne jemi tërësisht në një situatë tërësisht ndryshe, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Gjykatës së Lartë në atë ndërhyrjen fillestare që bëri në dhjetor të vitit 2024 ku kërkoi që të zhvillohej rotacion. Nëse Gjykata e Lartë nuk do ta kishte zhvilluar këtë procedurë do të ishte ajo e përgjegjshme përpara ligjit për t’i kërkuar pse nuk po zbaton detyrën dhe ne vetëm kemi zbatuar detyrën tonë kushtetuese për të bërë rotacion”, u shpreh Sadushi.
Ai theksoi më tej se problematika e shfaqur me mandatin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është evidentuar edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian, që sipas Sadushit e ka cilësuar si pasiguri juridike.
“Dhe Gjykata e Lartë e ka përmbushur me sukses këtë mision të sajin ndërkohë që do të evidentoja faktin që edhe në raportin e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë, një nga problematikat që ngrihen aty është edhe pasiguria juridike që ekziston për mandatin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo nuk është një çështje e Gjykatës së Lartë, por është një çështje e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi më tej Sadushi.
Kreu i Gjykatës së Lartë vuri në dukje gjithashtu se që nga muaji janar e deri më tani nuk ka një vendim mbi çështjen mes Gjykatës Kushtetuese dhe Presidentit të Republikës. Kjo sipas tij, mos-shprehja nga ana e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e gjyqtarëve të saj po mban peng edhe Kuvendin për zgjedhur gjyqtarin në Kushtetuese nisur nga pozicioni vakant i krijuar.
“Gjykata Kushtetuese ka një çështje në proces të drejtuar nga presidenti i Republikës që në muajin janar dhe sot jemi në korrik dhe ende nuk ka një vendim. Ndërkohë që bëhet fjalë për t’u shprehur përfundimisht lidhur me gjykimin që ata kanë lidhur me mandatin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Mos-shprehja për këtë vendim nga ana e Gjykatës Kushtetuese ka mbajtur peng edhe Kuvendin i cili pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të zgjidhur pozicionin vakant që ka për gjyqtarin që do të zgjedhë vetë Kuvendi. Pra, ky është një problem që lidhet me Gjykatën Kushtetuese dhe jo me Gjykatën e Lartë. Gjykata e Lartë e ka përmbushur misionin e saj dhe e ka përmbushur në respekt të Kushtetutës. Tensioni zgjidhet kur merren vendimet, në rastin e Gjykatës së Lartë u mor vendim nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe tani nuk ka më tension. Ndërkohë le të jetë tension mes Gjykatës Kushtetuese, presidentit dhe Kuvendit për pozicionet që ata kanë për të zgjidhur, por jo me Gjykatën e Lartë”, shpjegoi Sadushi.