Rama prish murin e ambasadave, statusi i Ben Blushit aktivizon kryeministrin, si aksioni për prishjen e ndërtimeve…

Një goditje e papritur ndaj infrastrukturës diplomatike në Tiranë ka tronditur themelet e marrëdhënieve me një nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë të Shqipërisë, sikundër është Britania e Madhe. Pas një postimi “turistik” të shkrimtarit, Ben Blushit në rrjete sociale për “Murit e Berlinit në Tiranë”, qeveria e Edi Ramës ka ndërmarrë një aksion të menjëhershëm për prishjen e murit që ndante rrugën e Bogdanëve me atë të Ambasadave. Por pas kësaj lëvizjeje, po zbulohet një prapaskenë e errët dhe thellësisht politike. A është ky një aksion për të hapur rrugën për qytetarët… apo për të ndërtuar kulla për politikanët?
Burime të sigurta pohojnë se pranë zonës së shembur, pikërisht pranë ambasadës britanike, është parashikuar të ndërtohet një godinë shumëkatëshe. Në këtë projekt flitet se janë të përfshirë ish-politikani dhe ish-drejtori i “Top Channel”, Ben Blushi, bashkë me biznesmenin dhe politikanin Tom Doshi. Dy emra të njohur në skenën e aferave të mëdha, të përmendur vazhdimisht në lidhje me skandalin e inceneratorëve apo ndërtimit dhe ilaçeve. Por a po përdoret prishja e “Murit të Berlinit” si justifikim për një investim shumëmilionësh përballë ambasadave? Burimet e ndërtimit janë të dyshimta, ndërsa pyetjet e tjera që ngrihen janë: A është marrë leja zyrtare për ndërtim në këtë zonë të ndjeshme diplomatike?
Absurdi i madh shqiptar
Ndërkohë ironia e madhe është se Ben Blushi, dikur zëvendësministër i Jashtëm dhe ministër, kishte gjithë mundësinë për të hequr këtë mur sa ishte në detyrë. Por atëherë mungonin paratë dhe mundësia. Ndërsa sot, pas një karriere politike të mbyllur në hijet e aferave financiare, ai del si “shpëtimtar urban”, me një status të butë, por që duket se ka ndezur dritën jeshile për shembje dhe betonim të zonës. Por a po vjen një tjetër kullë luksi përballë ambasadave, e maskuar si hapje rrugësh për qytetarët? Edhe kjo pyetje meriton përgjigje.
Diplomacia në alarm
Ndërkaq kujtojmë që në kohën kur ishte ministër i Brendshëm, Sandër Lleshaj, një përpjekje për të hapur rrugën në këtë zonë u shoqërua me një reagim të ashpër nga ambasadori britanik, që e kërcënoi qartazi shtetin shqiptar me mbylljen e përfaqësisë në Tiranë dhe zhvendosjen e saj në Prishtinë. Pse tani ambasadat heshtin? A janë vënë në dijeni për projektin e ndërtimit? Apo janë vënë para faktit të kryer? Edhe këto pyetje meritojnë përgjigje.
Zonë e mbyllur për qytetarët, e hapur për oligarkët?
Megjithatë theksojmë se rruga e ambasadave nuk është një zonë e lirë për kalim. Me polici të përhershme, kamera sigurie dhe kontrolle diplomatike, qytetarët nuk mund të lëvizin lirshëm aty. Po si do të shërbejë kjo hapje muri për banorët, kur rruga përballë është e blinduar? Ose më saktë: Për kë po hapet kjo rrugë? Në një ironi të thellë historike dhe politike, Blushi thotë se dëshiron të “prishë murin që ndante komunizmin nga kapitalizmi”. Por me një kosto të tillë? A është ky kapitalizmi që përfaqësohet nga kullat, të ngritura mbi shpinën e afera korruptive dhe mureve që bien jo për qytetarët, por për qerret e betonit? Kjo mbetet të shihet
Muret bien, kullat ngrihen, por për kë?
Nga ana tjetër në reagimin e tij në rrjetet sociale pak ditë më parë, Z. Blushi thotë: “Nëse do isha një guidë turistike… do i çoja turistët te oborri i Ministrisë së Jashtme si demonstrues paqësorë. Ndoshta atëherë dikush do t’i dëgjonte dhe do t’ia jepte çelësin e Murit të Berlinit qytetarëve të Tiranës.”  Por në vend që qytetarëve t’u jepet çelësi… po u jepet kulla mbi kokë. Pra ky nuk është vetëm një aksion ndërtimor. Është një deklaratë brutale force. Muret e institucioneve bien, që të ngrihen kështjellat e korrupsionit. sidoqoftë pyetje tjetër që duhet të shtrojmë është: A do të lejojë diplomacia ndërkombëtare që përballë dyerve të saj të ngrihet një simbol i pastrimit të parave dhe poshtërimit të ligjit? Sepse Tirana mund të mos ketë më mure, por ka ende shumë gjurmë të tradhtisë që po derdhet në beton. Më poshtë po pasqyrojmë reagimin e plotë të shkrimtarit Ben Blushi, ndërkohë që bëjmë me dije se fotot janë bërë ditën e djeshme tek blloku i ambasadave në Tiranë.
Çfarë deklaroi pak ditë më parë Ben Blushi?
“A DO PRISHET MURI I BERLINIT NË TIRANË/ Sikur të isha një guidë turistike do i tregoja turistëve një mur që ndan dy rrugë në mes të Tiranës, siç ndante dikur Muri i Berlinit kapitalizmin nga komunizmi. Muri për të cilin po flas ndan dy nga rrugët kryesore të Tiranës, rrugën e Bogdanëve dhe rrugën e Ambasadave. Dikur këto akse paralele ishin të bashkuara dhe njerëzit që jetonin në këtë zonë kalonin nga njëra te tjetra me lehtësinë që kalohet nga dhoma e bukës në dhomën e pritjes. Kur ambasadat e huaja u vendosën në rrugën Skënderbeu, që u quajt rruga e Ambasadave, shteti komunist e rrethoi këtë hapësirë me mure të larta sepse natyrisht shqiptarët nuk mund të komunikonin me perëndimorët që ishin armiq të socializmit. Kështu rruga e Bogdanëve u nda nga motra e vet binjake, me të cilën kishte jetuar gjithë jetën në të njëjtën lagje. Por kur Muri origjinal i Berlinit ra, Shqipëria u hap dhe njerëzit humbën interesin për të hyrë në ambasada, muri sërish nuk lëvizi nga vendi. I shtyrë nga kurioziteti për të kuptuar se pse Muri i Berlinit të Tiranës është ende në këmbë, pyeta dhe më në fund e kuptova arsyen. Është komike. Murin e Berlinit të Tiranës e mban në këmbë Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë. Pas atij muri, një drejtori me një emër ingranazhesh duralumini, DSHTD, nëse nuk jam gabim, ka ndërtuar një magazinë. Brenda kësaj magazine ka vërtet disa zyra me duralumin dhe shumë sende të ndryshkura që mund te jetë stola, krevatë portativë, abazhurë apo pajisje të vjetra që dikur i shërbenin trupit të huaj diplomatik. Disa muaj më parë, banorët e rrugës së Bogdanëve, bashkë me minibashkinë i kërkuan zyrtarisht Ministrisë së Jashtme, ta hiqte pjesërisht atë pengesë dhe të hapte një shteg këmbësorësh për fëmijët, turistët dhe diplomatët. Ministria e Jashtme dha shpresë dhe të gjithë u gëzuan se dy rrugët që komunizmi i ndau për 50 vjet mund të bashkoheshin. Bizneset fërkuan duart dhe diplomatët u kënaqën, se nga një rrugë, do bëheshin me dy. Por ajo që ndodhi është e padëgjuar dhe meriton një çmim, nëse në botë jepen çmime për ata që sajojnë pengesa që nuk mund të imagjinohen.
Në vend që të hapte një shteg për të lejuar këmbësorët të kalonin nga ana tjetër, DSHTD, hapi një portë hekuri dhe i vuri një dryn. Që nga dita që ajo portë është aty, nuk është hapur asnjëherë. Asnjë nga banorët nuk e ka kaluar dot pragun e saj dhe diplomatët e tregojnë me gisht sa herë duan të tallen me Ministrinë tonë të Jashtme. Njerëzit që zgjohen herët thonë se çdo mëngjes, punonjësit e DSHTD, e përdorin portën për nevojat e veta. E hapin kur të duan, e mbyllin kur të duan. Pra nëse më parë shkonin në punë vetëm nga njëra anë e murit, nga rruga e Ambasadave, tani mund të kalojnë edhe nga ana tjetër, nga rruga e Bogdanëve sepse ju bije më shkurt. Pas këtij inovacioni të ingranazhit diplomatik,unë e humba shpresën se muri i Berlinit të Tiranës mund të prishej, por kur pashë se shteti po shemb me shumë të drejtë, gardhet e privatëve, mendova se ndoshta duhet t’i kujtoj se përveç gardheve të gipsit, të teneqeve dhe plastikave prej kauçuku ka edhe një gardh burokratik që duhet shembur. Kështu që nëse do isha një guidë turistike, pasi t’i lija turistët me gojë hapur me këtë histori të çuditshme që lidh komunizmin me kapitalizmin dhe urbanizimin me kaosin prej duralumini do t’i çoja te oborri i Ministrisë së Jashtme si demonstrues paqësorë. Ndoshta atëherë dikush do t’i dëgjonte dhe do t’ia jepte çelësin e Murit të Berlinit qytetarëve të Tiranës”, shkroi Blushi më 11 korrik 2025.