Nga Julia Vrapi
Keqmenaxhimi në Butrint, orari për vizitorët apo dhe mospërfshirja sa duhet e komunitetit janë vetëm disa nga problematikat, që vë në dukje studiuesi Auron Tare. Parku kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, por herë pas here specialistë të fushës së trashëgimisë sonë kulturore, studiues e më gjerë kanë shprehur kritika ndaj institucioneve, duke e quajtur skandal çfarë ndodhi me Butrintin për formën e menaxhimit me fondacionin, që u krijua në bazë të marrëveshjes së administrimit lidhur me Ministrinë e Kulturës.
Studiuesi Auron Tare, i cili dhe më parë ka folur për problemet sipas tij në menaxhimin e ri të Butrintit, thotë se sot shteti shqiptar nuk e kontrollon dot më Butrintin. “Para dy javësh unë shkova në Butrint dhe isha me disa familje të ish donatorëve të Butrintit. Shkuam në 18:00 e 18 dhe Butrinti ishte mbyllur. U indinjova pak dhe thashë kush është ai që mund të mbyllë Butrintin në orën 18:00, se e para 14:00 me 17:00 nuk shkohet në Butrint se vdes nga vapa. Butrinti është i mrekullueshëm pas orës 18:00 me ato dritëhijet, me ujërat, etj, dhe më thanë menaxhimi i ri i fondacionit, etj, pra një marrëzi e madhe. Këtej nga Ministria e Kulturës nuk kishin mundësi të hapnin derën, sepse tashmë Butrinti është shkëputur nga Republika e Shqipërisë dhe shteti shqiptar se kontrollon dot më, që është një turp i madh dhe ngela keq”, shprehet studiuesi Auron Tare ish drejtor i parkut kombëtar të Butrintit.
Një tjetër problem që vë në dukje studiuesi Auron Tare është dhe mospërfshirja sa duhet e komunitetit në Butrint. Sipas tij, dikur Butrinti ka qenë i suksesshëm se menaxhohej nga banorët e atyre zonave, ndërsa sot kjo nuk merr rëndësinë si më parë. “Kur shkova të nesërmen dhe pyeta, aty e kuptova se çfarë kishte ndodhur që gjithë administrata punonjësit, etj, vijnë nga Gjirokastra. Madje dhe ish drejtori i Komunales së Gjirokastrës e kanë hequr dhe e kanë çuar në Butrint. Unë kam respekt për drejtorët e Komunaleve por ta heqësh drejtorin e Komunales nga Gjirokastra ta sjellësh në Butrint është nuk e di.
Dhe tani ata ikin në orën 18:00 do shkojnë në shtëpi, do merren me kalamajtë, do bëjnë jetën e natës, etj, dhe Butrinti është i mbyllur. Pas orës 18:00 nuk hapet, është një çmenduri. Ky është menaxhimi i qendrës sonë më të rëndësishme. Është çmenduri që të mbyllësh Butrintin në orën 18:00. Për t’iu rikthyer menaxhimit, Butrinti ka qenë i suksesshëm, sepse menaxhohej nga banorët përqark”, shprehet studiuesi Auron Tare në reagimin e tij në një media televizive ku ishte i ftuar. Reagimi i Auron Tares vjen në një kohë kur në vend po flitet kaq shumë për çfarë po ndodh me shkatërrimin e zonave të mbrojtura, ndërsa studiuesi thekson se gjithë koncepti i parqeve kombëtare, parqeve në zona të mbrojtura është që të përfshish komunitetet brenda tyre.
Vendime të gabuara qeveritare
Monumentet e Butrintit reflektojnë historinë e tij të pasur. Ndër sitet përreth Butrintit është dhe Diapori. Gjatë vizitave në parkun kombëtar të Butrintit, Diapori që dikur mirëmbahej është vizituar edhe nga personalitete të huaja, ndërsa sot studiuesi Auron Tare thotë se nuk shkon njeri. “Po ju jap një shembull, matanë liqenit është zona e Diaporit, është një vilë romake e mrekullueshme, e gërmuar, etj. Unë dikur kur isha drejtor kisha vetëm një Gjokën, një mirditor që jeton në Shëndelli. Çohej në këmbë ikte atje, e pastronte, e bënte akull. Aty ne çuam dhe Camilla Parker Bowles që e vizitoi atëherë kur erdhi në vizitë. Sot shko në Diapori, janë bërë si ato kallamat që tha Rama te varrezat e Elbasanit, zhdukur komplet. Gjoka ka dalë rri në pension në Shëndelli.
Nuk shkon njeri, nuk e di njeri ku është. Kur pyes unë po në Diapori çfarë bëni, nuk e di njeri ku bie. Më kuptoni çfarë situatash?”, shprehet më tej Tare. Me vendim të Këshillit të Ministrave dhe me propozim të Ministrisë së Kulturës, parku i Butrintit i është dhënë për menaxhim Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit për një afat 10-vjeçar, gjë që u kundërshtua jo pak nga ekspertë të trashëgimisë kulturore. Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit u krijua me qëllim menaxhimin e pasurisë kulturore brenda Parkut Kombëtar të Butrintit në bazë të marrëveshjes së administrimit lidhur me Ministrinë e Kulturës, ndërsa Auron Tare, i cili dhe më herët ka shprehur se nuk është forma e menaxhimit të duhur sërish sjell në vëmendje se kjo vjen nga vendimet qeveritare që janë të gabuara.
“Por është gjynah se kemi mundësira dhe asete të jashtëzakonshme dhe nuk dimë ti menaxhojmë për arsye të këtyre vendimeve të gabuara apo vendime politike apo që të marrësh përshembull njerëzit që ti ke nga Gjirokastra ti çosh në menaxhimin e Butrintit. Është në çmenduri kur komunale ka dhe Ksamili edhe Konispoli edhe Saranda. Nëse do drejtor komunale meri vëri, pse do marrësh nga Gjirokastra drejtorin”, shprehet më tej Auron Tare, i cili në 1995-2000 ka qenë përfaqësues i fondacionit “Butrinti”, një nga themeluesit e parkut kombëtar të Butrintit dhe drejtues i parë 2000- 2005. Butrinti u shpall Monument Kulture, që në vitin 1948 me një Akt të Parë rregullues për Monumentet e Kulturës. Në vitin 1992, Butrinti u përfshi në listën e pasurive botërore të UNESCO-s.
