“Djemtë vezullues”, komedi nga Neil Simon me regji nga Roland Minga në skenën teatrore

Miqësitë që bazohen te vlera profesionale dhe njerëzore nuk vdesin kurrë, është ajo çfarë trajton komedia “Djemtë vezullues”. Në skenën teatrore të teatrit “Petro Marko” në Vlorë komedia vjen me interpretimin e aktorëve të njohur dhe me regji nga Roland Minga. Komedia e autorit amerikan Neil Simon vijon në skenë për publikun dhe do të jetë sërish në datat 5 dhe 6 prill. “Djemtë vezullues” është dhe premiera e parë e këtij teatrit për këtë vit. Komedia “Djemtë vezullues” e autorit amerikan Neil Simon në teatrin “Petro Marko” vjen në interpretimin e Astrit Hasanit, Artan Islamit, Alba Shtëmbarit, Matilda Avdulit. Në komedinë “Djemtë vezullues” dy miq që kanë lidhur jetën me teatrin. Dy miq që e kanë konsoliduar jetën artistike në kudhrën e skenës. Nëse flet për njërin ke nënkuptuar tjetrin.
Pas njëmbëdhjetë vitesh që nuk flasin, ringjiten përsëri në atë vend që ju ka dhënë shkëlqimin. Një grindjeje të vjetër i ka ardhur koha të zgjidhet. Dhe zgjidhja vjen pikërisht aty ku edhe u pezullua, në skenë. Dilema se a duhet të “mënjanohen” apo jo, nëpërmjet përpëlitjes së pleqërisë dhe mos dorëzimit. Për hir të artit, gjithçka harrohet. Shfaqja vjen në skenë me skenografi të Drini Shehut dhe formulimi muzikor nga Artur Dhamo.  Regjisori i njohur Roland Minga vjen me veprën “The Sunshine Boys” (Djemtë vezullues) në teatër pas komedisë “Dëshira e tretë” vepër e autorit Ferdinand Hysi. Neil Simon ishte një dramaturg, skenarist dhe autor amerikan. Ai shkroi më shumë se 30 drama dhe pothuajse të njëjtin numër skenarësh filmash.