Policia e rendit dhe ajo bashkiake kanë nisur kontrollet në plazhet private në Vlorë, për të verifikuar nëse janë të rregullt me dokumentacionin dhe nëse e shfrytëzojnë hapësirën në respekt të ligjit.
Gjatë kontrollit në një plazh përgjatë Lungomares janë vërejtur parregullsi në menaxhimin e një hapësire nga një subjekt privat dhe gjatë paradites së kësaj të shtune, forcat e policisë ndërhynë duke hequr çadrat dhe shezlongët.
Gjatë aksionit u hoqën 35 çadra dhe 70 shezlongë, ndërsa pronari nuk ka pasur kundërshtime. Hapësira e plazhit, rreth 500m2, do të kthehet në plazh publik.
Për këtë rast reagoi edhe kryeministri Edi Rama, duke përgëzuar policinë për ndërhyrjen dhe për rikthimin e kësaj parcele në plazh publik për pushuesit.
Pak ditë më parë e gjithë zona e Lungomares i është nënshtruar aksionit të inspektoriatit të mbrojtjes së territorit, duke heqhur tavolonat, karriget dhe strukturat metalike të vendosura në trotuarë./vizionplus.tv
