Ansambli Popullor në Gjenevë, trashëgimia shqiptare në një nga qendrat e rëndësishme kulturore evropiane

Nga Julia VRAPI
Folklori popullor u përcoll me interpretimin e artistëve të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore në mbrëmjen kulturore të Shqipërisë në Gjenevë. Në kuadër të Asamblesë së 66-të të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO) në Gjenevë të Zvicrës, Shqipëria u prezantua me një ekspozitë shoqëruar nga një mbrëmje kulturore, ku artistët e Ansamblit Popullor shpalosën një program të pasur folklorik. Artistët e Ansamblit Popullor sollën para delegacioneve nga bota ngjyrat, ritmet dhe shpirtin e traditës shqiptare.
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe Ansambli Popullor thotë se në Gjenevë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore përfaqësoi me dinjitet artin tonë kombëtar. “Duke çuar trashëgiminë shqiptare në një nga qendrat më të rëndësishme kulturore evropiane”, thuhet nga TKOBAP për këtë mbrëmje që ishte më 10 korrik. Performan ca e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore në Asamblenë e 66-të të WIPO-së tregon se nën ritmet e pasura të trashëgimisë shqiptare artistët tanë sollën një spektakël autentik me këngë dhe valle popullore dhe sipas TKOBAP-së duke ngjallur duartrokitje dhe emocione te të pranishmit nga mbarë bota.
Pjesëmarrja e artistëve të Ansamblit Popullor në Gjenevë është në vijim të aktivitetit artistik këtë sezon veror. Koncerte të ndryshme janë zhvilluar nga artistët gjatë këtij sezonit artistik më parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ndërsa përgjatë stinës së verës të tjerë koncerte po zhvillohen jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë.
Artistët në turne
Disa javë më parë Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore nisi turneun e tij nëpër Shqipëri, duke sjellë trashëgiminë tonë shpirtërore më pranë pub likut. Koncertet e kalendarit veror të Ansamblit Popullor po zhvillohen brenda dhe jashtë vendit nën siglën “Folk on Tour” 2025. Qyteti i Lushnjës disa ditë më parë ishte një ndër ndalesat e këtij turneu që ka nisur, ku Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore ishte i ftuar në natën finale të Festivalit Tipologjik të Valles Burimore, një ngjarje që i kushtohet ruajtjes dhe promovimit të folklorit autentik shqiptar.
Vallet nga trevat shqiptare erdhën përmes interpretimit të grupeve të ndry shme folklorike në Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Valles Popullore Burimore, ku në natën finale ishin dhe artistët e Ansamblit Popullor. Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Valles Popullore Burimore këtë edicion u zhvillua në datat 23 dhe 24 qershor. Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore ose Ansambli Shtetëror, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i val leve dhe kori. Qëllimi i AKKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë.