Nga thellësia e universit në teleskopët tanë: Kometa që mund të ndryshojë gjithçka

Një objekt misterioz që vjen nga hapësira përtej sistemit tonë diellor mund të jetë kometa më e vjetër e njohur deri më sot, thonë shkencëtarët.
I emërtuar 3I/Atlas, objekti ndër-yjor është vëzhguar për herë të parë më 1 korrik 2025 nga teleskopi “Atlas” në Kili, kur ndodhej rreth 670 milionë kilometra larg Diellit, në një distancë të ngjashme me atë të Jupiterit.
Ky është vetëm rasti i tretë në histori që njerëzimi identifikon një objekt që ka ardhur nga përtej Sistemit Diellor. Zbulimi u prezantua zyrtarisht në takimin kombëtar të Shoqatës Mbretërore Astronomike të Mbretërisë së Bashkuar në Durham.
“Jemi shumë të entuziazmuar për 3I/Atlas,” tha astronomi i Universitetit të Oksfordit, Matthew Hopkins, për BBC News. “E kam kaluar doktoraturën duke parashikuar zbulime të tilla, dhe për herë të parë, u përballa me një të tillë në të dhëna reale.”
Bazuar në shpejtësinë e tij, Hopkins sugjeron se objekti mund të jetë mbi 7 miliardë vjet i vjetër, rreth 3 miliardë vjet më i vjetër se vetë sistemi ynë diellor. Origjina e tij mendohet të jetë “disku i trashë” i Rrugës së Qumështit, një zonë me yje shumë të vjetër që rrotullohen rreth galaktikës sonë mbi dhe nën planin ku ndodhet Dielli.
Kometa besohet të përmbajë një sasi të madhe të akullit ujor, gjë që do të krijojë një bisht ndriçues prej avulli dhe pluhuri kur të afrohet me Diellin më vonë këtë vit, një spektakël që pritet të shihet edhe nga teleskopët amatorë.
“Ky është një objekt nga një pjesë e galaktikës që nuk e kemi parë kurrë kaq nga afër,” tha profesori Chris Lintott, bashkautor i studimit. “Mendojmë se ka një shans dy të tretat që kjo kometë të jetë më e vjetër se sistemi ynë diellor dhe që ka udhëtuar nëpër hapësirën ndër-yjore që prej atëherë.”
Përpara 3I/Atlas, vetëm dy objekte të tjera ndër-yjore janë identifikuar: 1I/’Oumuamua në vitin 2017 dhe 2I/Borisov në vitin 2019. Por me ndihmën e teleskopit të fuqishëm “Vera C. Rubin”, që nis sondimin e plotë të qiellit jugor më vonë këtë vit, shkencëtarët besojnë se mund të zbulohen edhe 50 objekte të reja që vijnë nga largësitë e galaktikës.
Një udhëtar i lashtë, një kometë që ndoshta ka parë lindjen e yjeve përtej sistemit tonë, 3I/Atlas mund të jetë çelësi për të kuptuar më shumë rreth historisë së universit dhe fillimeve të jetës.