Për herë të parë dy prokurorët e posaçëm te SPAK që kanë kryer hetimet për rrëmbimin e zhdukjen e Jan Prengës u përplasën në sallën e Apelit të Posaçëm për masën e dënimit të kopshtarit të kompleksit “Golden”, ku i ndjeri humbi gjurmët një herë e përgjithmonë.
Kopshtari, Festim Bexhdili është dënuar përjetë nga shkalla e parë, një vendim që për prokuroren Elida Kaçkini është me vend pasi e konsideron atë si një anëtar të grupit kriminal.
“Rrëmbimi ka qenë i paralajmëruar sepse viktima është ndjekur disa ditë radhazi. Kompleksi “Golden” ka qenë i paracaktuar nga ana e tyre. I pandehuri, ditën e ngjarjes, ka pasur një vendndodhje të ndryshme nga kompleksi. Më pas shfaqet te kompleksi duke pasur një vëmendje të shtuar ndaj aparatit celular. Ai shfaqet duke pritur në derën hyrëse të garazhit. Në këtë derë më pas futet makina Audi A6 që i përket Altin Hajrit. Kjo mënyrë ndërveprimi tregon që ata kanë pasur dijeni dhe secili prej të pandehurve drejtohet drejt kompleksit për të kryer rolet e tyre. I pandehuri nuk ka shprehur as pendesë, nuk i ka kërkuar falje familjarëve, ka mbajtur vetëm qëndrim mohues, jo sqarues”, tha Elida Kaçkini, prokurore.
Por nuk ka mbajtur të njëjtin qëndrim prokurori Behar Dibra i cili kërkon që Bexhdili të dënohet me 20 vjet burg, duke e përjashtuar atë nga bashkëpunimi si grup kriminal me të pandehurit e tjerë.
“Në respekt të koleges dhe duke qenë dakord për parashtrimet që bëri, kam një vlerësim ndryshe për elementët e fajësisë së të pandehurit. Fakti është që vepra penale :Mbajtja Peng e Jan Prengës” është pasojë e një aktiviteti të kryer në Angli nga një i pandehur tjetër që është në një procedim tjetër. Prezenca e Festim Bexhdilit brenda në kompleks në orën 12:15 mund të ketë qenë për arsye të punëve të tij. Ai është kushëri i Altin Hajrit dhe punonte në kompleks. Në orën 18:49 Festim Bexhdili ndihmon Majnishtën dhe Martin Bletën të nxirrnin Jan Prengën nga bagazhi i makinës dhe më pas e zhvendosin në një automjet tjetër. Trupi tashmë ishte fshehur. Nuk ka prova të gjetjes fizike të Jan Prengës, nuk mund t’i kërkojmë të pandehurit të thotë diçka që ai mbase nuk e di”, u shpreh Behar Dibra, prokuror.
Kopshtari Bexhdili nga ana e tij thotë se ishte aty dhe nga frika mori trupin e Jan Prengës për ta futur në makinë.
Sipas tij kushdo të ishte aty në atë moment do bënte po të njëjtën gjë. Ilir Murati, avokati i Festim Bexhdilit thotë se përsa kohë Gjykata e Lartë e prishi këtë vendim atëherë duhet rikualifikuar vepra penale në përkrahje të autorit të krimit.
Edhe prokurori Dibra kërkoi rikualifikim të akuzës. SPAK thotë që Jan Prenga u rrëmbye e më pas u zhduk për pazare droge të cilat nisën me vjedhjen e një sasie kokaine nga vëllai i tij. Kokaina sipas organit të akuzës i përkiste Dritan Rexhepit dhe grupit të drejtuar prej tij.
/vizionplus.tv
