Artistët:Ekspozita e grupit “Muri” vazhdon rrugëtimin,në punime secili ruan identitetin, formatin dhe mjeshtërinë e vet

Nga Julia Vrapi
Ekspozita e artistëve të grupimit “Muri” vazhdon rrugëtimin e saj me piktura, skulptura, karikatura dhe punime në qeramikë. Artistët që janë pjesë e këtij grupi po vijojnë me ekspozitën e tyre në qytete të ndryshme të vendit me një larmi veprash. Ekspozitën e radhës artistët e grupimit “Muri” e hapën ne galerinë “Edward Lear”.
Kjo është ekspozita e shtatë e këtij grupimi artistësh e kuruar nga Dejan Duhanxhiu, ku janë ekspozuar një larmi veprash të zhanreve të ndryshme, një gërshetim pikturash skulpturash qeramikash dhe karikaturash, të konceptuara  si dialog i hapur me publikun. Për veçoritë artistike dhe aktivitetin e grupit “Muri” kryetari i tyre piktori i njohur Adrian Devolli thotë se ekspozita po vijon rrugëtimin e saj, ku niveli artistik është kryesor. “Ekspozita e grupimit të artistëve “Muri” është në vazhdën e rrugëtimit të saj si ekspozitë.  Kjo ekspozitë që  u hap në galerinë “Edward Lear” të Beratit ka ndryshim krahasuar më ato tjerat më parë.
Autorët vijnë me vepra për mendimin tim, të cilat kanë një evolucion artistik shumë më lart se sa ekspozitat më parë të grupimit “Muri”. Kjo tregon që funksionimi i artistëve në bashkësi sjell vlera të mëdha cilësore. Kjo ndodh sepse çdo autor përpara se të marrë pjesë në ekspozitë, duke e ditur se do përballet me kolegët e tij ka tjetër impenjim, përkushtim. Kjo lloj përgjegjësie bën që vetvetiu vepra e artit në këtë ekspozitë ka tjetër pritshmëri”, thotë piktori Adrian Devolli. Grupimi i artistëve “Muri” ekspozitën e parë e hapi në dhjetor 2021 në Galerinë e Artit Tiranë. Formimi i grupit “Muri” ishte njoftuar më herët dhe pas ekspozitës së parë, të tjera u hapën në vijim të aktivitetit artistik të artistëve.
 Artistë që kanë krijuar identitetin e tyre
Në këtë ekspozitë të shatë janë ekspozuar punë nga Leon Çika, Agron Polovina, Llambrini Dena, Adrian Devolli, Arben Meksi, Marjana Goxhabelliu, Idriz Balani, Luan Boriçi, Fatmir Tufina, Fatmir Minga, Violeta Kongo, të ftuar janë Nasuf Myftari dhe Arian Kalari. Anëtar i grupimit të artistëve “Muri” skulptori i njohur Idriz Balani veprat e të cilit janë ekspozuar në këtë galerinë “Edward Lear” në Berat thotë se në këtë ekspozitë janë emra artistësh që kanë krijuar identitetin e tyre.
“Në punime secili ruan identitetin e vet, ruan formatin e vet, mjeshtërinë  e vet. Janë emra artistësh që kanë krijuar identitetin, stilin e tyre dhe përmbajtjen dhe secili ka fytyrën e tij. Në këtë ekspozitë secili vjen me punime të reja ose ndoshta edhe me një punë edhe më parë”, thotë skulptori i njohur Idriz Balani, ku ndër punimet e tij në ekspozitë një është për Leon Çikën që u nda nga jeta më 9 janar 2025 dhe një tjetër për piktorin dhe poetin Faslli Haliti i ndarë nga jeta në 16 tetor 2020. Grupimi i artistëve “Muri” vjet hapi në muajin nëntor ekspozitën e gjashtë në Galerinë e Arteve në Vlorë, për të vijuar me ekspozitën e shtatë në galerinë “Edward Lear”. Kjo ekspozitë që u hap më 24 qershor në Berat do të qëndrojë  deri në datën 14 korrik.