Të mërkurën në Kavajë u inaugurua shtatorja e Josif Budos, me rastin e 35-vjetorit të rënies së Dëshmorit të Parë të Demokracisë.
Kryetari i PD vlerësoi lart sakrificën e Budos duke e cilësuar si një akt që frymëzoi mbarë shqiptarët drejt lirisë.
Berisha u shpreh se dëshmori Josif Budo do të jetë frymëzim në betejën për rrëzimin e qeverisë aktuale dhe rikthimin e besimit tek shqiptarët.
“Gjaku dhe sakrifica sublime e Josif Budos u shndërruan në dritë dhe frymëzim për mbarë shqiptarët. Kavaja, qyteti i kryengritjes së parë antikomuniste, e priti diktaturën me trimëri dhe qëndroi e pamposhtur,” deklaroi Berisha. Sot çdo shqiptar duhet të nderojë Josif Budon dhe sakrificën e tij me një betim solemn se nuk do të pajtohemi kurrë me këtë regjim. Josif Budo do të na frymëzojë në përpjekjen për të rikthyer dinjitetin, shpresën dhe besimin e shqiptarëve,” tha Berisha.
Në fjalën e tij, Berisha kritikoi kryeministrin Edi Rama, duke e cilësuar si një “diktator modern” që po largon të rinjtë dhe po shkatërron kombin.
“Kombi është i rrëzuar përdhe. Sot jemi dëshmitarë të një politike spastrimi etnik që tejkalon precedentët historikë,” shtoi ai.
Berisha përmendi edhe burgosjen e Ervin Salianjit, duke e konsideruar atë si viktimë të përpjekjeve për të mbrojtur kryeministrin Rama dhe Fatmir Xhafën ndaj akuzave.
“Çfarë mund t’i bëjë një armik më shumë një kombi se sa ai që burgos kundërshtarët e tij? Ervin Salianji u dënua vetëm sepse denoncoi mbrojtjen që i bëhej Geron Xhafës për trafikun e Vlorës,” tha Berisha.
Në fjalimin e tij, Berisha foli edhe për arrestimin dhe burgosjen e aleatit të tij Ilir Meta, duke e krahasuar me rastin e poetit Havzi Nela.
“A ka ndonjë dallim mes varjes në litar të Havzi Nelës në vitin 1988 dhe trajtimit brutal të kundërshtarëve politikë në ditët e sotme? Ndërsa ai vdiq, edhe ky terrorizon një popull të tërë,” theksoi Berisha.
Kujtojmë që më 10 korrik 1990, në Kavajë u vra nga forcat sampiste, Josif Budo, duke u bërë dëshmori i parë i lëvizjes antikomuniste në Shqipëri në fillim të viteve ’90.
Ky krim e nxiti dhe më shumë protestën e kavajasve ndaj regjimit në pushtet dhe në qytet zbarkuan tankse dhe forca të shumta për të ruajtur rendin. Sofika Cara, dëshmitare okulare e ngjarjeve, sjell zhvillimet e atyre ditëve tronditëse.
Nderohet Josif Budo në Kavajë/ Berisha e shfrytëzon për mesazh politik: Rama burgos kundërshtarët
