Komedia “Testamenti i ri” në skenën teatrore me regji nga Violeta Trebicka. Vepra që shënoi më parë premierën në skenën e teatrit “Bylis” në Fier vijoi për publikun edhe disa mbrëmje me radhë përgjatë korrikut në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina”. Historia e një testamenti të harruar shërben si pretekst për të zbuluar problemet e thella në çift. Një martesë e bazuar në shtirje, keqkuptime, gënjeshtra dhe tradhti. Pas situatave sa komike aq edhe njerëzore lind pyetja: Kur dy njerëz nuk duhen më, a duhet të jetojnë së bashku?!
Vepra e autorit Sacha Guttry në skenën e Teatrit Kombëtar në mbrëmjet e datave 3, 4 dhe 5 korrik erdhi me interpretimin e një kasti të njohur aktorësh. Në rolet e kësaj komedie janë aktorët Alfred Trebicka, Vasjan Lami, Violeta Trebicka, Albana Koçaj, Igli Fusha, Sofi Kotepano, Mateo Dervishaj. As.regjisor Enerest Dalipaj, skenografia e kostumografia Desantila Lika, muzika Ronaldo Bulku. Kalendari i shfaqjeve teatrore për muajt maj- qershor në teatrin “Bylis” në Fier solli drama dhe komedi për publikun. Këto muaj në skenën e teatrit “Bylis” pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishin dhe premierat teatrore, ku komedia “Testamenti i ri” regjisore Violeta Trebicka erdhi si premierë absolute në skenë.
Teatri “Bylis” në qytetin e Fierit pak ditë më parë bëri me dije se ka përfunduar dhe sezonin e parë teatror këtë vit. Gjatë këtij sezoni teatror sipas teatrit “Bylis” në skenë për publikun ishin tre shfaqje teatrore premierë dhe dy shfaqje rivënie, ndërsa me sezonin e ri që do të nisë në vjeshtë të tjera vepra premierë pritet që të jenë në skenë si produksione të këtij teatri.
Komedia “Testamenti i ri” pas skenës së teatrit “Bylis” në skenën e Teatrit Kombëtar
