“Raporti i KE është alarm për rrezikun kombëtar”, Zhulali reagon ashpër: Shqipëria, një shtet i këputur në çdo hallkë

Eksperte e integrimit dhe drejtuese e Departamentit të Politikës së Jashtme në PD, Ilda Zhulali, në  një emision televiziv, deklaroi se raporti i fundit i Komisionit Europian është një pasqyrë e qartë dhe tronditëse e realitetit të shtetit shqiptar.
Sipas saj, zinxhiri shtetëror është i këputur që në hallkën e pare, demokracia dhe situata përkeqësohet më tej në të gjitha institucionet e shtetit, duke përfshirë Parlamentin, sistemin e drejtësisë dhe administratën publike.
Zhulali theksoi se raporti i KE-së e përshkruan Shqipërinë si një vend pa transparencë, pa garë, pa llogaridhënie dhe pa siguri, ku korrupsioni, krimi dhe paaftësia mbizotërojnë në çdo nivel.
Deklarata:

Po të lexosh çfarë ka shkruar Komisioni Europian, thuhet se hallkat e zinxhirit shtetëror janë të këputura. Fillon me demokracinë dhe zgjedhjet që kanë rënë, vazhdon me Parlamentin që nuk funksionon më si Kuvend, ku nuk zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, dhe ku zinxhiri i drejtësisë nuk funksionon më. Ata thonë se ky është një vend ku nuk ka transparencë, garë, llogaridhënie dhe siguri.
Pasiguria në Shqipëri është aq e lartë, sa edhe ajri është vdekjeprurës këtë e kanë thënë ata, sepse e kanë konstatuar me të gjitha mënyrat e tyre. Çfarë tjetër duhet të thonë që ne të kuptojmë atë që e shohim çdo ditë me sytë tanë?
Ata thonë se ky është një vend i mbytur në korrupsion, drogë dhe krim. Një vend ku administrata publike për të cilën prej vitesh pretendohet se po bëhet reformë është e mbushur me militantë dhe të paaftë. Thonë se ka ligje dhe strategji që nuk zbatohen kurrë.
Këtë gjë na e thonë neve dhe vetes së tyre për të treguar se ky është vendi që ka aplikuar për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Ne e duam Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse janë një popull pro-europian, por sa i përket standardeve, jemi vite dritë larg. Ata nuk do të zhvendosen nga Brukseli për të na ndërtuar shtetin këtu. Nuk diskutohet më për “stabilitet”; sot diskutohet për diçka shumë më themelore.
Në fund të ditës, ata kanë pasur gjithmonë një mënyrë të qartë dhe konstante të të folurit. Janë bërë kaq vite që Shqipëria nuk ka përparuar drejt BE-së, dhe kjo ka ndodhur sepse ka qenë larg standardeve të kërkuara. Rama u fut në një aventurë me Vuçiqin, duke premtuar një epokë të re për Ballkanin që do të sillte siguri dhe standarde. Pastaj hyri në një projekt tjetër, të cilin u detyrua ta braktiste, dhe Parlamenti Europian ia kujtoi: “U fute në këtë aventurë, por mos e vazhdo, sepse cenon stabilitetin e Ballkanit.”
Po të lexosh raportin, ata i thonë të gjitha aty.
Shqiptarët nuk kanë nevojë t’i lexojnë këto raporte ata i jetojnë çdo ditë, në mënyrë të egër, mbi kurrizin e tyre. Nuk ke nevojë të jesh turist në Theth për t’u tronditur kur të vjen fadroma e të shemb shtëpinë dhe nuk po flasim për shtëpitë e paligjshme, por për pronën tënde.