Numri i zyrave të këmbimit valutor arriti nivel rekord në 2024

Numri i zyrave të këmbimit valutor arriti një rekord të ri vitin e kaluar. Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, në fund të 2024 raportoheshin 642 zyra të licencuara të këmbimit valutor.Numri i zyrave aktive u rrit me 3.4% krahasuar me një vit më parë. Gjatë vitit 2024, u licencuan 46 zyra të reja të këmbimit valutor, por ndërkohë iu revokua licenca 25 zyrave ekzistuese.Në harkun e pesë viteve të fundit, numri i tyre është rritur me 27.6%. Vlerësohet se rritja e turizmit, sidomos në periudhën pas pandemisë, ka rritur volumin e këmbimeve valutore dhe rrjedhimisht duket se ka nxitur kërkesën për hapjen e më shumë zyrave të këmbimit valutor.Mbështetur në informacionin e Bankës së Shqipërisë, qarqet me përqendrimin më të lartë të zyrave të këmbimit valutor janë qarku i Tiranës (49.6%), i Fierit (9.31%), i Vlorës (8.51%) dhe i Durrësit (8.19%).Megjithëse numri i zyrave të këmbimit valutor ka ardhur në rritje të vazhdueshme, Banka e Shqipërisë vlerëson se në rastet kur, bazuar studime të zhvillimeve të tregut, ajo do të gjykojë se në treg operon një numër i madh subjektesh që ushtrojnë veprimtari të caktuara financiare përtej kërkesave të tregut, mund të kufizojë përkohësisht licencimin e subjekteve të reja që kërkojnë të ushtrojnë këto veprimtari financiare.Në një prononcim për “Monitor”, muajin e kaluar, Banka e Shqipërisë shprehej se, bazuar mbi nevojën e shpërndarjes gjeografike të shërbimeve financiare, do të inkurajohen subjektet që synojnë të fokusohen në zona që nuk kanë prezencë të bankave apo institucioneve të tjera financiare jobanka, siç janë zonat rurale dhe periferike, ku nevoja për shërbime të tilla si shërbimet e këmbimit valutor, etj. është më e madhe.Banka e Shqipërisë vlerëson se numri i subjekteve që veprojnë në tregun e këmbimeve valutore do të vijojë të analizohet në vazhdimësi nga Banka e Shqipërisë dhe, eventualisht, mund të ndërmerren masat e lartpërmendura, kufizuese apo stimuluese, sipas rastit.Ndërkohë, në muajin maj të këtij viti Banka e Shqipërisë hodhi për konsultim disa ndryshime në rregulloren për “Për licencimin, organizimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e zyrave të këmbimit valutor”, që forcojnë kriteret e licencimit dhe të mbikëqyrjes së këtyre institucioneve financiare.Projektrregullorja parashikon që kapitali minimal i kërkuar për licencimin e këtyre zyrave do të dyfishohet, nga 2.5 milionë lekë në 5 milionë lekë.Gjithashtu, çdo pagesë e kapitalit fillestar minimal, çdo shtesë e mëvonshme e tij si dhe çdo ndryshim në strukturën e kapitalit shoqërohet me paraqitjen në Bankën e Shqipërisë të informacionit lidhur me burimin e krijimit të këtij kapitali.Banka e Shqipërisë ka të drejtë të kërkojë sqarime dhe të bëjë verifikime të mëtejshme lidhur me burimet e krijimit të fondeve që do të shërbejnë si kapital fillestar minimal ose si shtesë e mëvonshme e tij.Gjithashtu, projektrregullorja vendos për herë të parë limite mbi veprimet në para fizike të kryera nga zyrat e këmbimit.Zyrat e këmbimit nuk do të lejohen të kryejnë transaksione në para fizike, të cilat tejkalojnë një shumë prej një milion lekësh ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja, të kryera në një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhur me njëri-tjetrin. Transaksionet që tejkalojnë shumën një milion lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja, duhet kryhen nëpërmjet llogarive bankare ose llogarive të pagesave.Përveç kërkesave të rregullores ekzistuese, projektrregullorja e re parashikon që në shqyrtimin e kërkesës për licencim të zyrës së këmbimit valutor Banka e Shqipërisë do të vlerësojë përshtatshmërinë, reputacionin e mirë dhe integritetin e aksionarit, pronarit përfitues dhe administratorit të subjektit.Një aksionar, pronar përfitues apo administrator do të konsiderohet të ketë reputacion të mirë, nëse respekton kuadrin ligjor e rregullator në fuqi, përfshirë ato që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit; nuk ka rekorde kriminale të lidhura me krime financiare, aktivitete të paligjshme ose shkelje të rënda ligjore; ka qëndrueshmëri financiare dhe nuk është i përfshirë në çështje financiare ose ligjore të rëndësishme që mund të dëmtojnë reputacionin ose besueshmërinë dhe nuk është subjekt i hetimeve ose sanksioneve për mosrespektimin e kuadrit ligjor e rregullator./ E.ShehuBurimi: Banka e Shqipërisë Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.