Ndryshon rregulli pas 20 vitesh në aeroportet amerikane, udhëtarët nuk do t’i heqin më këpucët për kontroll

Sekretarja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Kristi Noem, njoftoi të martën se udhëtarët nuk do të jenë më të detyruar të heqin këpucët gjatë kalimit nëpër kontrollet e sigurisë të TSA-së në aeroportet amerikane, duke i dhënë fund një politike që ka qenë në fuqi për gati dy dekada.

Sipas Noem, politika e re hyn në fuqi menjëherë dhe zbatohet në të gjitha aeroportet e SHBA-së. Ajo theksoi se edhe pse pajisjet e sigurisë mund të ndryshojnë nga një aeroport në tjetrin, Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka vlerësuar me kujdes të gjitha sistemet dhe është “plotësisht i bindur” se ekziston një nivel i mjaftueshëm sigurie për të lejuar udhëtarët të mbajnë këpucët veshur gjatë kontrollit.
“Do të ketë raste të veçanta kur individë mund të kërkohen të heqin këpucët, nëse konsiderohet se nevojiten kontrolle shtesë,” tha Noem gjatë një konference për shtyp në Aeroportin Kombëtar Reagan në Washington. “Por jemi të entuziazmuar që tashmë kemi teknologjinë dhe nivelet e shumëfishta të sigurisë që na lejojnë të marrim këtë vendim.”

Ajo shpjegoi se falë masave të shtuara të sigurisë si oficerë shtesë, pajisje të reja skanimi dhe implementimi i standardit REAL ID – TSA mundësoi heqjen e këtij detyrimi.
Udhëtarët që nuk kanë ende një dokument REAL ID nuk janë të detyruar të heqin këpucët, por mund të përballen me kontrolle të tjera shtesë në varësi të situatës.
Pavarësisht ndryshimit, Noem tha se TSA PreCheck vazhdon të jetë një opsion me vlerë për shumë udhëtarë, pasi i lejon ata të shmangin kontrollet shtesë. “Me PreCheck, udhëtarët nuk kanë pse të heqin rripin, xhaketën apo të nxjerrin nga çanta laptopët dhe lëngjet në përputhje me rregullat,” theksoi ajo.
Ky ndryshim shënon një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të përvojës së udhëtimit pa kompromentuar sigurinë.
/vizionplus.tv

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *