Behar Gjoka: Rileximi rizbulon tekstin, etja për famë është si mola për rrobat

Nga Julia Vrapi
Kritika letrare merret me vlerësimin e veprave letrare, ku herë pas here studiues dhe autorë janë shprehur për rëndësinë e saj. Behar Gjoka është një nga studiuesit, i cili në reagimet e tij ka pasur në vëmendje prurjet në letërsi, por ai thotë se etja për famë është brejtës i vlerave. Studiuesi i letërsisë Behar Gjoka thotë se sa herë ka shkruar për një libër të një autori, nuk ka mjaftuar vetëm leximi i parë. Gjoka, i cili herë pas here ka qenë edhe pjesë e tryezave ku është folur dhe diskutuar për librat dhe autorët thotë se rileximi e rizbulon tekstin letrar. “Ta thuash atë që mendon, apo të heshtësh? Kjo është çështja. Me njerëzit, miq apo të njohur, atë që kam menduar e kam thënë në sy. E di ka patur kosto, hatërmbetje. Janë pjesë e jetës, madje janë prani të pashmangshme.
Në marrëdhënie me letërsinë, kur kam folur, kam guxuar të them diçka, vetëm pasi e kam lexuar, shfletuar librin. Kur kam shkruar, për një libër, për veprën tanësore të një shkrimtari, zakonisht nuk ka mjaftuar leximi i parë, ka qenë i vlertë, rileximi, që rizbulon tekstin, por edhe vetëdijen e leximit, në një dritë tjetër. Kështu ka ndodhur gjithherët”, shprehet Gjoka. Ndër të tjera në reagimin e tij shkrimtari dhe studiuesi Behar Gjoka thotë se nuk është përfshirë për të bërë harta glorifikimi. Sipas tij letërsinë e zbulon secili në leximin që i bën librit. “Në këtë dialogim me letërsinë, me tekstet, sepse teksti shkon të lexuesi, edhe kur autori asht në amshim, nuk jam përfshirë për të bërë harta glorifikimi, herarki vlerash, të cilat duam nuk duam, e ngurtësojnë letërsinë, si magji, që e zbulon secili në lexim”, vijon më tej Gjoka.
 Etja për famë
Për studiuesin Behar Gjoka letërsia është hapësirë lirie për autorin dhe lexuesin. Por sipas tij sot është shqetësuese etja për famë. “Në këtë betejë pasioni, për të shkruar letërsi, e sidomos për ta shijuar tekstin, e secilit shkrimtar, në amshim a në gjallje, nuk jam yshtur nga shtysa jashtëletrare, nga miqësia apo mungesa e saj. Lëngata që më lodh, ma shpif vërtetë, është etja për famë, ku fama në bindjen time, është brejtës i vlerës, është si mola për teshat…Letërsia është hapësirë lirie, për autorin, lexuesin, kohërat dhe hapësirat. Mbarësi dhe lexoni, se kur ke një libër në dorë nuk je vetëm”, shprehet studiuesi në reagim të tij. Leximi i teksteve letrare për studiuesit për shumë shkaqe nuk ka vëmendjen që duhet. Përballë asaj që haset sot në tekstet letrare, studiuesi Behar Gjoka edhe më parë ka shprehur se është koha që të kthehemi në letërsi dhe në analizën e tekstit. Studiuesi Behar Gjoka prej vitesh drejton edhe Qendrën Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi”, ku aktiviteti i saj është përqendruar edhe tek ata autorë shqiptarë, që janë lënë në hije nga institucionet.