Kina shpalli të hënën krijimin e Shoqatës Ndërkombëtare për Eksplorimin e Hapësirës së Thellë (IDSEA), me qëllim që të fuqizojë vendet e tjera në zhvillim në fushën e teknologjisë së hapësirës së thellë.
Shoqata, që e ka selinë në Hefei të provincës Anhui në Kinën Lindore, do të jetë organizata e parë akademike ndërkombëtare e Kinës në fushën e hapësirës ajrore, duke përfituar nga interesi botëror në rritje për misionet e Kinës lidhur me Hënën dhe Marsin. “Ne do të përpiqemi që, brenda një dekade, të tërheqim 500 anëtarë ndërkombëtarë të kërkimit dhe 100 000 shkencëtarë anëtarë individualë,” i tha CGTN-it Wu Weiren, kryeprojektuesi i programit të eksplorimit hënor të Kinës dhe një anëtar i Akademisë Kineze të Inxhinierisë.
IDSEA do të përqendrohet në studimin e hapësirës së thellë, që përfshin sondat në Hënë, planete të tjera e asteroide, dhe do të nxisë bashkëpunimin ndërkombëtar, sipas Laboratorit të Zbulimit të Hapësirës së Thellë me bazë në Hefei, një nga pesë nismëtaret e shoqatës.
Wang Zhongmin, drejtor i qendrës së bashkëpunimit ndërkombëtar të këtij laboratori, u shpreh se IDSEA synon të bëhet një platformë akademike përfshirëse, prej së cilës do të përfitojnë veçanërisht vendet në zhvillim.
“Ne shpresojmë të tërheqim sa më shumë vende në zhvillim sa të jetë e mundur dhe, duke nisur programe të vogla, por me ndikim, të tilla si modeli ‘CubeSat’ dhe trajnimi i shkencëtarëve, shpresojmë t’u mundësojmë këtyre vendeve të kenë qasje në teknologjitë hapësinore të përparuara, që dikur dukeshin të largëta për to,” theksoi ai.
Eksplorimi i hapësirës së thellë ka qenë i kufizuar për një kohë të gjatë vetëm te disa vende për shkak të kërkesave të larta për kapital, teknologji dhe talente të tij. “Pjesa dërrmuese e vendeve mund të shohin këtu një monopol teknologjik. Teknologjitë e hapësirës së thellë duhet të dalin nga rrethi i vogël, për të sjellë përfitime për të gjithë njerëzimin,” tha Wang Zhongmin.
Krijohet shoqata e parë ndërkombëtare për eksplorimin e hapësirës së thellë
