Mjekët e “Koço Gliozhenit” shpëtojnë jetën e nënës me diagnozë të rrallë, Koçiu: Rast suksesi dhe me emocion

Në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” është kryer një ndërhyrje e suksesshme falë ekipit të këtij spitali te një paciente që solli në jetë një vajzë, pas dy fëmijëve.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e cilësoi këtë si një rast suksesi dhe të mbushur me emocion, ku Linda solli në jetën vajzën e saj Darian.
“Një gëzim i shumëpritur për familjen e saj”, shkruan Koçiu në një postim në rrjetet sociale.
Ministrja Koçiu u ka shprehur mirënjohjen ekipit të mjekëve, Arian Saliasi, Herion Dredha, Frenki Vila, Diana Canaj, Anika Dokle, Enkeleda Prifti, Nderim Horeshka, Redi Hoxhallari, Rubena Moisiu, Agron Delila, Dritan Xhangolli dhe infermieret Vjollca Kau, Ediola Mece, Emanuela Beraj dhe Fabiola Ruci.
Mjeku obstetër gjinekolog, Redi Hoxhallari theksoi se bëhet fjalë për një ndërhyrje të rrallë në një rast mjaft serioz.
Ai shpjegoi se Linda solli në jetë fëmijën e saj të tretë pas dy lindjeve të mëparshme me operacion dhe që kishte një diagnozë mjaft të rrallë, po njëkohësisht mjaft të vështirë për t’u menaxhuar.
“Bëhet fjalë për diagnozën placenta akreta, një diagnozë e rrallë, që për fat të keq rrezikon ndjeshëm jetën e nënës”, deklaroi mjeku Hoxhallari.
Mjeku Hoxhallari u shpreh se ishte një procedurë e vështirë që u zgjidh pas një përpjekjeje multidisiplinare ku në operacion morën pjesë përveç stafit të maternitetit “Koço Gliozheni” dhe mjekët urologë, mjekët kirurgë dhe mjekët patologë nga spitalet e tjera.
“Objektivi ynë kryesor në këto kushte është që të kompensojmë humbjet e mëdha të gjakut dhe të mbajmë parametrat termodinamikë dhe funksionin renal të gruas sa më afër normës”, u shpreh një tjetër mjek.
Sipas tij, faktor tjetër shumë i rëndësishëm ishte edhe gjendja fizike e gruas, e cila ishte shumë e mirë si dhe grupi i gjakut 0+ që çuan në arritjen e këtij rezultati, që nëna të ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Pacientja Linda Isaj, punonjëse pranë Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) prej disa vitesh, ka falënderuar ekipin e mjekëve, të cilët sipas saj, i dhuruan jetë të dytë.
“Për këtë jetë të dytë falënderoj doktoreshë Diana Canajn, doktor Agronin dhe gjithë ekipin madhështor nga të gjitha spitalet. I falenderoj dhe u kam borxh jetën time”, u shpreh Linda.
Agjencia Telegrafike Shqiptare i shpreh mirënjohje ekipit të mjekëve për përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre të jashtëzakonshme që mundësuan realizimin me sukses të kësaj ndërhyrjeje të vështirë te Linda, por edhe të gjithë mjekëve të tjerë për punën e tyre të palodhur në shërbim të nënës dhe fëmijës.