Meta-Kryemadhi përplasen për lekët, akuza të ndërsjellta për shpenzimet e bëra në SHBA me karta bankare

Monika Kryemadhi hodhi poshtë akuzat se ka shpenzuar 240 mijë dollarë në një periudhë 3-vjeçare, ashtu siç pretendon Prokuroria e Posaçme. Sipas saj kjo është vlera në total e kartës së kushëririt të saj, Adrian Shatku.

“Kam qenë edhe në Beverly Hills, kam qenë edhe në Santa Monika, kam qenë edhe në Las Vegas. Kam qenë në Los Anxhelos, kam qenë me kushëririn tim Adrian Shatku, me tre fëmijët e mi, me kushërirën time Bebe Rexha. 240 mijë dollarë është gjithë karta e zotit Adrian Shatku, që është me hotele, me bileta avioni, dreka me darka me akulloren. Secili ka shpenzimet e veta dhe do t’i kërkojë edhe bankës, edhe për sa më përket mua”, tha Kryemadhi.
Për ish-bashkëshortin e saj të burgosur, ish-Presidentin e vendit, që u distancua nga këto shpenzime Kryemadhi thotë: Më vjen shumë keq që babai i fëmijëve të mi vazhdon dhe ripërsërit deklaratat e Altin Dumanit, të Sotir Kllapit dhe të Arben Krajës, gjë që ka të bëjë çështje dhe këndvështrime të ndryshme të asaj që lexojmë në një dosje të përbashkët. Meta informohet për gjërat që u intereson grupi i tij i afërt sepse ai është në izolim. Nuk më intereson më fare të jem e sinqertë, se cfarë mendon zoti Meta e cfarë thotë e bën zoti Meta. Jam shumë e qetë në ndërgjegjen time për gjërat që kam bërë, bëj dhe do të bëj.

I menjëhershëm ishte mesazhi që Ilir Meta i dërgon përmes Facebook-ut ish-gruas së tij.
Ilir Meta: Në respekt dhe përkujdesje të tre fëmijëve të mi u kisha thënë pas zgjedhjeve, që nëna e tyre të mos e përmendte më emrin tim në publik se nuk doja të merresha më me të. Por kur të komandon halli bëhesh “Zeqine” e SPAK-ut. Ilir Meta dhe Tedi Blushi, jo vetëm që nuk përsërisin akuzat e Altin Dumanit, por vetëm kanë çmontuar publikisht shpifjet kriminale të orkestruara nga Altin Dumani se gjoja ishin gjetur dy prova të reja, pra dy karta bankare të reja, që sipas tyre ishin të përdorur edhe nga Ilir Meta, apo edhe ai ishte në dijeni.
Meta e Kryemadhi akuzohen se në bashkëpunim kanë kryer korrupsion, pastrim parash e fshehje të tyre përmes lobimit në SHBA, por edhe për kohën kur Meta mbante postin e Ministrit të Energjitikës./vizionplus.tv