Koncerti i grupit Zifras Armonikas nga Spanja në festivalin “Vox Baroque”

Festivali ndërkombëtar i muzikës baroke “Vox Baroque” është festivali i parë në Shqipëri, që i kushtohet tërësisht repertorit barok dhe këtë vit shënon edicionin e tij të 12-të. Në kuadër të edicionit të 12-të të festivalit “Vox Baroque”, hapësira e COD u mbush me tinguj nga muzika baroke dhe antike mesdhetare. Artistët Carlota Pupulin në harpën spanjolle dhe Juan Jose Francione në kitarë baroke sollën një performancë të jashtëzakonshme, si pjesë e grupit Zifras Armonikas, duke krijuar një atmosferë intime dhe të paharrueshme për të gjithë të pranishmit. “Një udhëtim në kohë përmes muzikës -në zemër të Tiranës!”, shprehet COD.
Programi i festivalit shtrihet nga 28 qershori deri më 12 korrik, në qytetet Korçë, Shipskë, Tiranë, Durrës dhe Vlorë, me pjesëmarrjen e ansambleve nga Greqia, Spanja dhe Italia. Festivali “Vox Baroque” i drejtuar nga muzikanti Jusuf  Beshiri që në edicionin e parë solli risi në zhanrin e muzikës, duke trajtuar muzikën e vjetër dhe stilin barok në disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë, konsideruar si qendra të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Një synim tjetër i këtij festivali është të zgjerojë sa më shumë panoramën e barokut duke i sjellë publikut një repertor të pasur jo vetëm me pjesë të kompozitorëve të njohur, por edhe me pjesë qe deri më sot nuk janë luajtur në skenat shqiptare.