Prej disa ditësh mbrëmjet në qytetin e Berat ndriçojnë nga diritat magjike të Cirkut italian “Marina Ofrei”.
Ky cirk me animatorë dhe akrobatë italianë ka dhuruar prej disa netësh emocione dhe spektakël për familjet vendase.
Aktorët nga shteti fqinj performojnë çdo natë në skenën e cirkut, ku për rreth 1 orë e 30 minuta, spektatorët kanë parë numrat ajrorë dhe akrobaci të ndryshme, kanë parë tigrat të ngjiten në skenë, ndërkohë që fëmijët janë argëtuar me dy kllounët “Banana e Briciola”.
“Kemi zgjedhur Beratin për të dhënë shfaqje pasi është një qytet shumë i bukur, me një shtrirje të gjerë dhe duke qenë një qytet turistik ishte zgjedhja më optimale për të ardhur këtu. Publiku është shumë i ngrohtë, qyteti është shumë i bukur, po ndihemi shumë mirë. Spektakli është i kompletuar, me kafshë, ekuilibristë, akrobatë dhe kllounët veçanërisht për fëmijët”, tha regjizori Ricardo Zafatta.
Dy kllounët “Banana e Briciola”, Roberto Riva dhe Alex Spada janë shprehur se publiku beratas ka qenë i ngrohtë e sidomos fëmijët janë argëtuar me ta.
“Publiku është kënaqur shumë me shfaqjen tonë të cirkut, fëmijët janë argëtuar mjaft me ne. Ne japim shfaqjet në çdo vend të Evropës e në mbarë botën dhe kemi dëshirë të shëtisim edhe në të gjithë Shqipërinë”, thanë ata.
Cirku italian do të përformojë deri në 13 korrik në qytetin e Beratit./vizionplus.tv
