Gjoba fshehurazi, kamatë dhe penalizime, kamerat në akset rrugore kthehen në kurth për qytetarët

Mbikqyrja e autostradave kryesorë në Shqipëri me kamera vëzhgimi po kthehet në një kurth për qytetarët të cilët po gjobiten pa u vendosur në dijeni dhe pa u njoftuar.
Tre muaj pas vendosjes së kamerave në autostradat kryesore të vendit, shqetësimet e qytetarëve janë rritur pasi ata penalizohen pa u njoftuar, cka krijon premisa që gjoba të mos paguhet dhe drejtuesit e mjeteve jo vetëm të jenë debitorë për shlyerjen e saj por të paguajnë edhe kamatën që nis nga dita e 15.

Rasti i denoncimit të mbërritur në redaksi, është ai i një qytetari të gjobitur në Unazën e re të Tiranës, në datën 18 qershor 2025, në ora 06.22 të mëngjesit.

Plot 17 ditë më vonë, në datën 5 korrik 2025, ai rastësisht hyri në platformën e-albania për një arësye tjetër dhe u vu në dijeni të gjobës së vendosur nga policia rrugore.
Për shkak të mos shlyerjes në afat, gjoba kishte nisur të llogariste edhe kamatën me 120 lekë të reja për vetëm dy ditë!
Masa administrative e vendosur nga polici rrugor Artan Malasi, konsiderohet abuzive nga qytetari i cili thekson se është ndëshkuar me 2000 lekë, për tejkalim të shpejtësisë në Unazën Veriore të Tiranës, por fleta e gjobës në e-albania nuk ka asnjë shpjegim detajues, sa ka qenë shpejtësia me të cilën ai po lëvizte në momentin e shkeljes, dhe cila është diferenca e kësaj shpejtësie me atë të lejuarën në aksin ku është vendosur gjoba.