Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të mërkurën se SHBA-ja do të vendosë një tarifë bazë prej 10 për qind për importet nga të gjitha vendet e botës, përfshirë Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ndaj mallrave të importuara nga Kosova është vendosur tarifë prej 10 për qind, ndaj atyre nga Shqipëria 10 për qind, Serbia 37 për qind, Bosnia e Hercegovina 35 për qind, dhe Maqedonia e Veriut 33 për qind.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediet tha se nëse opozita vjen në pushtet pas 11 majit, PD do të ketë në axhendën e vet, negociatat e hapura, transparente me qeverinë e SHBA-së, për çështjen e tarifave.
Berisha: Jam optimist, sepse nëqoftëse ju keni konstatuar, për Shqipërinë janë përdorur, në një shikim të parë, tarifat më të ulëta se në vendet e tjera, edhe për Kosovën e njëjta gjë. Kështu që unë këtë koment kam për tarifat.
Një gjë dua të ju them. Që kur ka dalë kjo çështje, unë e kam ndjekur, por çfarë kam konstatuar. Në disa shkrime serioze, kam konstatuar vendet e tjera kishin vendosur tarifa shumë më të larta ndaj prodhimeve amerikane se sa SHBA ndaj vendeve të tyre. Ky ishte një studim krejt i paanshëm, madje mund të thosha një studim nga linja që nuk janë shumë në këtë orientim.
Nëqoftëse një veturë jo prodhim amerikan, tarifohej me 3% në SHBA, vetura amerikane tarifohej me 10%, me trefishin e saj. Por reale, mund të them se kishte vend që kishte 17% tarifën, ndërkohë që SHBA e kishte tarifën 3% për ta. Çështja e tarifave është një çështje globale e cila nuk mund të jetë njëanshmëri, nuk shkohet me njëanshmëri se dihet ndikimi që ka në prodhim.
Ajo që dëgjuat këtu, ‘Made in Albania’ është drejtim themelor i kohës për ekonominë. Prodhim, prodhim, prodhim. Sepse shpërndarja e pabarabartë e prodhimit, rënia vetëm pas komponentit financiar, rrezikojnë për ekonomi jo të qëndrueshme. Pra ky është komenti im për tarifat, negociata, negociata, negociata, pas 11 majit./vizionplus.tv
