Kanosje me mesazhe që çoi në tentativë vetëvrasjeje 43-vjeçarja shpallet në kërkim, një tjetër procedohet penalisht
Policia e Korçës ka shpallur në kërkim shtetasen V. K, 43 vjeçe, banuese në Vlorë, dhe ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit R. A., 29 vjeç, banues në fshatin Vashtmi, pas dyshimeve për kanosje me qëllim përfitimi pasuror.
Sipas hetimeve paraprake, të dy të dyshuarit i kanë dërguar mesazhe kërcënuese shtetasit E.L, të cilat dyshohet se ndikuan rëndë në gjendjen e tij psikologjike, duke e çuar drejt një tentative për vetëvrasje.
Ngjarja ka ndodhur më 28 qershor 2025, kur viktima tentoi t’i jepte fund jetës duke konsumuar një substancë kimike (klor).
Gjatë kontrollit në banesën e 29-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi një armë sportive të mbajtur pa leje si dhe një shumë eurosh të dyshuara si të falsifikuara.
Ndërkohë, forcat e rendit po vijojnë punën për kapjen e 43-vjeçares dhe, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe grumbullimin e provave ligjore.
