“Do luftojmë për qeveri teknike”, Berisha: Nuk e njohim “11 Majin”, betejë në Parlament për zgjedhje të reja

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në ditën e fundit të jetës parlamentare, doli nga selia e PD për të përsëritur se opozita nuk do ta pranojë rezultatin e 11 majit.

Berisha gjatë një komunikimi me gazetarët përsëriti se në shtator në parlament beteja e PD do të fokusohet tek krijimi i një qeverie teknike.
“Partia Demokratike nuk i njeh këto zgjedhje. Ajo ka luftuar dhe do luftojë për një qeveri teknike dhe zgjedhje të reja”, tha Berisha.

Berisha komentoi edhe procesin e rinumërimit të votave në qarkun e Fierit duke akuzuar PS për manipulime në 11 maj, pasi kandidatit socialist Ceno Klosi iu gjetën 831 vota të marra pa të drejtë.
 “Urdhëroni çfarë nxori rinumërimi. Ceno Klosi hajdut me çizme. Ceno Klosi është Lubi Balluku. Çfarë tregoi tjetër? Se edhe tjetri deputet kishte marrë mandatin. Tregoi tjetër se për këtë narkonomenklaturën mandatet janë letrat pa vlerë. E patë si i kaloi asaj tjetrës së i duhet Zegjineja”, u shpreh Berisha.
Por Berisha shmangu komentet për kandidaten e tij, Silva Hasaj që kishte marrë 671 vota në mënyrë të padrejtë.
 “Cilido që nuk zbaton ligjin, për mua do të jetë përgjegjës para ligjit”, shtoi kryedemokrati.
Berisha artikuloi sërish akuza ndaj anëtarit të Komisionit të Ankesave dhe sanksioneve, ish bashkëpunëtorit të tij Ilir Rusmali, për rregullat e vlerësimit të votave në Tiranë.
 “Ka qenë bashkëpunëtor i imi, por e kam shkarkuar për korrupsion Ilir Rusmalin. Ky njeri që nuk ka ligj e as moral, që është si vetja e veta, e ndonjë mik si ai, ky njeri pse dilte viza pak nga kuadrati, siç më kanë sjellë në zyrë me dhjetëra e dhjetëra, ky i quante të pavlerë”, tha Berisha.
Ilir Rusmali në vitin 2005 ka qenë zëvendëskryeministër dhe ministër i drejtësisë në qeverinë Berisha. Në vitin 2007 Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve të asaj kohe, Saimir Shehri, publikoi një regjistrim të vëllait të Ilir Rusmalit, i cili i kërkonte Drejtorit të Policisë së Burgjeve, që ta shihte me prioritet në një tender, të cilin ai nuk e fitoi.
Ilir Rusmali asokohe dha dorëheqjen vetëm për të vëllanë, por për të nuk pati kurrë akuza për korrupsion as ligjore dhe as politike.
/vizionplus.tv