Cristiano Ronaldo në zi pas vdekjes së Diogo Jotës: S’ka kuptim… sapo ishim bashkë në Kombëtare

Cristiano Ronaldo ka reaguar me një mesazh prekës pas vdekjes tragjike të futbollistit Diogo Jota dhe vëllait të tij, André. Sulmuesi i njohur portugez shprehu tronditjen dhe dhimbjen për humbjen e bashkëlojtarit, me të cilin ka ndarë fushën e lojës në dhjetëra ndeshje me Kombëtaren e Portugalisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Ronaldo shkroi:
“Nuk ka kuptim. Sapo ishim bashkë në Kombëtare, sapo ishe martuar.Familjes tënde, bashkëshortes dhe fëmijëve të tu, i dërgoj ngushëllimet më të sinqerta dhe u uroj të kenë gjithë forcën e botës.E di që gjithmonë do të jesh me ta.Pushoni në paqe, Diogo dhe André. Të gjithëve do të na mungoni.”
Vdekja e Diogo Jotës ndodhi pas një aksidenti tragjik rrugor në Spanjë, vetëm disa ditë pasi ishte martuar me partneren e tij, Rute Cardoso. Lajmi ka tronditur jo vetëm komunitetin sportiv portugez, por edhe tifozët dhe personalitetet e futbollit në mbarë botën.
Reagimi i Ronaldos është një prej dhjetëra mesazheve prekëse që janë ndarë online në nder të Jotës dhe vëllait të tij, duke dëshmuar për ndikimin dhe dashurinë që ai la pas.