Fermerët falimentojnë, qeveria ndërton ferma “dijeje” për foto dhe turizëm, Agolli i FSHZH “avullon” 240 milionë lekë

Fermerët shqiptarë po falimentojnë njëri pas tjetrit, ndërsa qeveria ndërton “Ferma Dijesh” me tendera miliona lekësh për foto turistike dhe fasadë. Në vend që të subvencionojë prodhimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSZH) shpenzon 236 milionë lekë për një projekt në Korçë që promovon më shumë marketing sesa bujqësi reale. Ndërkohë, produktet shqiptare kalben në kanale, raftet mbushen me mallra të importuara, dhe stallat e blegtorëve boshatisen çdo ditë. Ish-ministri Edmond Panariti ngre alarmin se jemi në vitin e pestë me rënie të vazhdueshme të prodhimit bujqësor dhe se Shqipëria nuk ka më as rezerva ushqimore.
Serbia përfiton 280 milionë euro nga fondet IPARD, ndërsa Shqipëria ka përfituar zero. Por skandali thellohet me dyshimin e “avullimit” të 240 milionë lekëve nga Dritan Agolli i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ndërkohë që fermerët hedhin prodhimet në rrugë e marrin rrugën e emigrimit. Pra e gjithë kjo tregon se projekti i bujshëm për një “fermë modeli” në fshatin Qatrom është kthyer në një simbol të mjerimit institucional: shumë propagandë, zero ndikim në fshat. Madje jemi përballë një skandali, pasi kur bujqësia është në kolaps, qeveria ofron “shkëmbim teknikash” dhe mollë turistike, ndërsa populli konsumon vetëm import.
INVESTIGIMI
Zhduket prodhimi vendas
Fermerët po falimentojnë, stallat po mbyllen, dhe përpunuesit po detyrohen të mbijetojnë me lëndë të parë të importuar. Raftet e supermarketeve mbushen çdo ditë me produkte nga jashtë, ndërsa produkti shqiptar po zhduket pa zhurmë. Shqipëria nuk po prodhon më për të ushqyer veten. Po kthehemi në një vend që vetëm konsumon, pa mbështetur as fermerin, as përpunuesin vendas. Në Maliq dhe Korçë fermerët ndër vite kanë protestuar për një hall të madh, atë që mollët, apo produkte të tjera u kalben dhe detyrohen t’i hedhin pasi prodhimet e tyre nuk aksesojnë tregun. Pra, falimentojnë nga politik-bërja në bujqësi. Tani mesa duket zgjedhjen e paska gjetur Agolli i FSZH, i cili me tenderin 236 mln lekë do hap fermën e dijes për fermerët, ku të takohen dhe shkëmbejnë teknikat e reja të bujqësisë, madje të konsumojnë mollë të freskëta te kjo fermë, se fundja ato që vetë fermerët mbjellin zënë kanalet. Sot, Shqipëria nuk konkurron me produkt intensiv, konvencional, ndërsa këto të “foto-shkrepjeve” flasin për ferma dijesh, në një kohë që fermerët kanë nevojë për subvencione që të rimëkëmben. Ndaj dhe fermerët lënë familjen dhe tokën e tyre e marrin rrugët e mërgimit.
“Ferma e Dijes” shashkë për fermerët
Me një fond limit prej mbi 236 milionë lekësh, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për fazën e parë të projektit “Ferma e dijes dhe agroturizmit të mollëve, Korçë”. Nisma vjen në kuadër të mbështetjes për ngritjen e poleve të zhvillimit të integruar rural, në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe aktorë të tjerë lokalë e qëndrorë. Sipas dokumenteve të tenderit, projekti synon ngritjen e një ferme moderne të prodhimit dhe promovimit të mollës, që do të shërbejë si një qendër multifunksionale për bujqësinë, edukimin, turizmin dhe ekonominë lokale. E konceptuar si një “fermë e dijes”, ajo do të ndërtohet në afërsi të fshatit Qatrom, vetëm 5.4 kilometra nga qyteti i Korçës, në një zonë me tokë pjellore, topografi të lehtë dhe burime të përshtatshme uji.
Aktualisht, zona është e pandërtuar dhe e paaksesueshme me infrastrukturë moderne rrugore, ndaj projekti parashikon ndërhyrje edhe në këtë drejtim. Ferma është menduar si një hapësirë e hapur, ku për fermerët, do të jetë një pikë takimi dhe shkëmbimi për teknikat e reja të bujqësisë; për konsumatorët, një burim prodhimesh të freskëta dhe cilësore nga burime të certifikuara vendore, ndërsa për vizitorët, një destinacion turistik i kombinuar me eksperienca edukative dhe rekreative. Përmes kësaj nisme, synohet të vihet në eficencë një territor i pashfrytëzuar dhe të krijohet një pikë referimi për zhvillimin e agroturizmit dhe formave të reja të sipërmarrjes rurale. Në afatgjatë, synimi është që “Ferma e Mollëve” të shndërrohet në një markë lokale, ku ndërthuren aktorët publikë, privatë dhe kërkimorë, për të krijuar një model bashkëpunimi, që fuqizon ekonominë rurale, nxit inovacionin dhe promovon qasjen e hapur ndaj dijes dhe shërbimeve.
Reagon Panariti
Ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti ngre shqetësimin për financimin shumë të ulët nga buxheti i shtetit për sektorin e bujqësisë dhe thotë se më dramatike e bën situatën ndërprerja e fondeve nga IPARD. Ai deklaroi gjatë një reagimi për “MCN TV”, se është i pesti vit radhazi që kemi rënie të produktit bujqësor, prej mungesës së subvencioneve. Sipas tij, blegtoria është simptoma e parë dhe më e prekshme e degradimit të bujqësisë dhe se kemi përgjysmim të numrit të krerëve në 5-6 vitet e fundit. Panariti ngriti alarmin se sot nuk kemi as rezerva ushqimore, në një kohë që çdo qeveri e përgjegjshme duhet të ketë, pasi tha se garantimi i ushqimit, është garantimi i pavarësisë së vendit. Ai shtoi se rritja e kërkesës për prodhime bujqësore dhe blegtorale, nuk shkon në favor të bujqësisë sonë, por në favor të importit. “Kemi në 4-5 vite që kemi rënien në 4% të PBB, një rënie e paparë më parë. Financimi është shumë i ulët nga buxheti i shtetit dhe më dramatike e bën situatën, ndërprerja e fondeve financuese nga IPARD.
Ato para janë për fermerët dhe bujqit. Paratë e vjedhura në bujqësi janë ende nën hetim nga OLAF dhe SPAK. Absurd është fakti në vitin 2017 kanalet ujitëse i kaluan për administrim bashkive dhe që qeveria shkëputi rezervuarët nga sistemi ujitës. Nëse bujqësia shqiptare do të ketë këtë nivel financimi shumë më poshtë se Kosova dhe Maqedonia, situata do jetë më e rëndë. Blegtoria është simptoma e parë dhe më e prekshme e degradimit të bujqësisë. Ne kemi përgjysmim të numrit të krerëve në 5-6 vitet e fundit dhe fabrikat e përpunimit gjithë ato investime që i bën në mënyrë që ai qumësht i fermave tona të mos shitej me bidona në rrugë, por të shitej në treg me vlerë të shtuar, nuk po ndodh se fabrikat nuk kanë leverdi ta blejnë te fermeri shqiptar, se iu del me kosto të lartë. Importojnë nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Bujqësia ka vetëm një kah, degradimin, nëse nuk ndërhyhet. Serbia merr aktualisht 280 milionë euro nga IPARD, ne zero.
Marrëveshjen e tregtisë së lirë mund të bësh marrëveshje që në momentin që ke pikun e prodhimit të një produkti, të mos importosh në mënyrë që mos të hedhësh në erë produktin vendas. Në pikun e sezonit ty të vjen shalqi nga Kreta, rrush nga Moldavia. Shqipëria nuk diti të mbajë avantazhet e marrëveshjes së tregtisë së lirë. Sot nuk kemi as rezerva ushqimore, në një kohë që çdo qeveri e përgjegjshme duhet të ketë. Ndërkohë që garantimi i ushqimit, është garantimi i pavarësisë së vendit. Sot nuk të pushtojnë me raketa dhe municione, por me qumësht dhe me djathë. Nuk duhet ta lëshosh prodhimin bujqësor në nivele të tilla, sa ta shtypësh mizorisht nga importi dhe përballë faktorëve më madhorë të gjendesh i papërgatitur. Është e papranueshme që prodhimi vendas të behet inekzistent. Rritja e kërkesës për prodhime bujqësore dhe blegtorale, nuk shkon në favor të bujqësisë sonë, por në favor të importit. Gjithçka pasi mungojnë politikat incentivuese”, deklaroi Panariti.