Që prej të martës në asnjë moment nuk është ndalur në Elbasan tymi toksik i prodhuar nga djegia e mbetjeve në landfill, në mungesë të inceneratorit i cili do të kryente incenerimin e tyre. Ky ritual që përsëritet thuajse çdo vit, sa herë temperaturat ngrihen dhe malet me plehra digjen masivisht. Zjarrfikësit u përpoqën të vënë nën kontroll flakët, ndërsa një shtëllungë e madhe tymi ngrihej në periferi të qytetit. Si zakonisht institucionet e menaxhimit të mbetjeve u gjendën të papërgatitura dhe ia lanë fajin temperaturave të larta. Zyrtarët lokalë justifikohen me disa dalje të shkurtra për mediat në këto raste. Administratori i EcoElb, Leli Kaja ka thënë se zjarri është pasojë e temperaturave dhe tejmbushjes së vendgrumbullimit, por nuk jep shpjegim se përse mbeturinat nuk janë asgjësuar.
“Zjarri ka ardhur për shkak të temperaturave të larta. Unë nuk merrem me hamendësime. Është e drejta e secilit të thotë çfarë mendon. Unë jam në këtë mal me mbetje dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet për ta fikur,” tha Kaja. Dyshimet janë se flakët janë të qëllimshme. Në pamundësi për t’i menaxhuar sasitë e mëdha të mbeturinave, i vihet flaka. Janë ngjarje si këto, kur të gjithë kujtohen për “inceneratorin”, mrekullinë inxhinierike të premtuar nga Rilindja që jo vetëm do të zhdukte plehrat, por do të prodhonte edhe energji elektrike, por që përfundoi në një aferë korrupsioni, ku zyrtarë të lartë socialistë mbushën xhepat me dhjetëra milionë euro.
Policia e Elbasanit reagoi për herë të parë për zjarrin. Zyra Kundër Krimeve në Komisariat ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve, rrethanave dhe përgjegjësve nëse është zjarrvënie e qëllimshme. Hetimeve i është bashkuar edhe Prokuroria e Rrethit. “Në lidhje me zjarrin e përhapur në vendgrumbullimin e mbetjeve, në Elbasan, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë, po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim përcaktimin e shkakut të zjarrit, sqarimin e rrethanave dhe individualizimin e përgjegjësive mbi këtë rast”, thuhet në njoftim.
Kush është kompania e afërt me Ramën
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike për Qarkun e Elbasanit, Blendi Himçi, e ka quajtur një fenomen të përsëritur dhe të organizuar zjarrin që ka përfshirë fushën e mbetjeve në qytet. Ai akuzon se zjarrvënia është e qëllimshme, ndërsa flet për korrupsion qeveritar dhe e lidh me zgjedhjet. “Zjarri i rënë që prej ditës së djeshme në landfillin e Elbasanit është një tjetër provë se si vjedhja e ngritur në sistem po i kushton qytetarëve jo veten ne financa por edhe në shëndet dhe siguri jete. Në vend që mbetjet të digjeshin pak metra më tutje, në inceneratorin që ka kushtuar jo pak, por 26 milionë euro, dhe që qytetarët e paguajnë nga taksat e tyre pikërisht për këtë qëllim, zjarri, i cili duket se ka dalë jashtë kontrollit, përveçse akuzë për një qeveri të korruptuar që nuk ka lënë gjë pa bërë, tashmë po helmon gjithë Elbasanin.
Inceneratori i Elbasanit, që nga ndërtimi i tij në vitin 2017, nuk ka djegur asnjë ton plehra dhe nuk ka prodhuar asnjë kilovat energji. Por para po djeg pa fund. Vitin e kaluar, një kompani e afërt me Ramën fitoi tenderin e shpallur nga kompania shtetërore ‘Eco Alb’ për menaxhimin e mbetjeve në landfill, me vlerë rreth 400 mijë euro, duke u favorizuar jo pak nga Latja i Elbasanit. Zjarri në landfillin e Elbasanit nxjerr në pah nevojën emergjente që Edi Rama kishte në këtë qytet për të vjedhur vota. E pra, duket qartë se Sara e Suel Çelës, Olsi i Vettingut, nuk do bëjnë gjë tjetër veçse do jenë garancia e vjedhjeve dhe mbulimi i skandaleve në qytetin e Elbasanit, ashtu siç është edhe tymi i landfillit që prej dy ditësh po helmon familjet e këtij qyteti”, tha ai.
Situata alarmante
Për këtë situatë alarmante, kanë folur dhe ekspertët. Sipas Ahmet Mehmeti, ekspert mjedisi, rreziqet e kësaj situate janë të mëdha për shëndetin e njerëzve, duke përfshirë rreziqet në lëkurë, gjak, aparatin tretës dhe zemrën. Ndotja shkakton sëmundje gjenetike dhe kancerogjene. Nga ana tjetër gazetari Osman Stafa raporton se pas kontaktin me mjekë ka zbuluar edhe pasojat që vijnë nga ngjarja e ndodhur në Elbasan. Pasojat: Sëmundje të frymëmarrjes: Tymrat që lëshohen përmbajnë grimca të imëta PM2.5 dhe PM 10 që hyjnë në mushkëri. PM 2.5 nuk mundet as të kapen dhe nga aparati i frymëmarrjes dhe shkojnë e depërtojnë drejtpërdrejtë në mushkëri, ku shkaktojnë apo përkeqësojnë astmës, bronkitin dhe infeksionet respiratole. 2.
Lëndë kancerogjene: Djegia e plastikës, gomave, tekstileve dhe mbetjeve te tjera çliron dioksina, furane, benzen, të gjitha të lidhura me kancerin, veçanërisht të mushkërisë, mëlçisë dhe gjirit. 3. Probleme neurologjike dhe hormonale. Dioksinat dhe metalet e rënda si plumbi, zhiva dëmtojnë sistemin nervor, sidomos te fëmijët, dhe ndërhyjnë në sistemin endokrin (hormonal). 4. Efekte të menjëhershme toksike: Lodhje, dhimbje koke, irritim i syve, fytit dhe hundëve. Rrezik akut për njerëzit afër zjarrit: ekspozimi i drejtpërdrejtë me gazra si monoksidi i karbonit mund të jetë fatal. Ndikimet afatgjata dhe në komunitet: Kontaminimi i ujit dhe tokës, substancat toksike depozitohen në tokë dhe përhapen në zinxhirin ushqimor përmes ujit, perimeve apo kafshëve. Efektet te gratë shtatzëna dhe fëmijët, rritje e rrezikut për lindje të parakohshme, defekte në lindje dhe zhvillim të vonuar mendor.
Landfilli i mbetjeve në Elbasan kthehet në “bombë” mjedisore, kush është kompania e afërt me Ramën që fitoi tenderin…
