Fondet e grumbulluara nga sigurimi i depozitave bankare mbulojnë 7.61% të tyre

Raporti i mbulimit të depozitave të siguruara bankare nga fondi i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) u rrit më tej në 2024. Sipas informacionit të ASD, në fund të vitit 2023, raporti arriti në 7.61%, nga 7.27% që pati qenë një vit më parë.Ky tregues llogaritet si raporti mes vlerës totale të fondit të sigurimit të depozitave bankare dhe vlerës totale të depozitave të siguruara. Rritja e këtij raporti tregon se fondi i sigurimit të ASD edhe vitin e kaluar është rritur me ritme më të shpejta se vlera e depozitave të siguruara.Vlera e fondit të sigurimit të depozitave në banka në fund të vitit të kaluar arriti në 70.14 miliardë lekë, lekë me një rritje prej 10.3% krahasuar me një vit më parë.Ky fond ka dy burime kryesore financimi: primet që paguhen nga bankat dhe të ardhurat nga investimi i fondit.Të ardhurat nga primet e sigurimit për vitin 2024 arritën në 4.39 miliardë lekë ose 5.4% më të larta se në vitin 2023. Në dekadën e fundit, të ardhurat nga primet kanë ardhur vazhdimisht në rritje, gjë që lidhet drejtpërsëdrejti me rritjen e depozitave të siguruara në sistemin bankar në këto vite.Ndërsa të ardhurat nga investimi i mjeteve financiare të fondit të sigurimit të depozitave në banka për vitin 2024 ishin 2.83 miliard lekë ose 20.7% më shumë se në vitin 2023.Sipas ASD, rritja e të ardhurave për vitin 2024 vjen kryesisht nga rritja e portofolit dhe nga të ardhurat për investimet mbi një vit të realizuara gjatë viteve të mëparshme.Gjatë vitit 2024, normat e interesit kanë qenë konstante krahasuar me një vit më parë, me një tendencë rënie të lehtë. Gjatë këtyre viteve, gjithashtu, ASD shprehet se ka synuar të realizojë një diversifikim të portofolit në disa maturitete, çka ka ndikuar në rritjen e të ardhurave.Mjetet financiare të fondit të sigurimit të depozitave investohen investohen në instrumente financiare me rrezik të ulët, kryesisht bono dhe obligacione qeveritare.Për bankat tregtare, primi tremujor i sigurimit të depozitave përllogaritet si 0.125% e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë regjistruar në bankë në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm.Megjithatë, ligji “Për Sigurimin e Depozitave”, në nenin 31, pika 11 përcakton se “Agjencia (ASD) mund të ulë primin tremujor të pagueshëm nga bankat anëtare të skemës së sigurimit të depozitave deri në 0,025% të mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë të regjistruara në bankë në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm, por vetëm nëse mjetet financiare të Agjencisë janë jo më pak se 5% të mesatares së këtyre depozitave”.Duke pasur parasysh se ligji e parashikon këtë mundësi, bankat tregtare prej vitesh po kërkojnë nga autoritetet rregullatore uljen e primit të sigurimit të depozitave. Bankat argumentojnë se në vitet e fundit janë përballur me një rritje të fortë të kostove nga masat e reja ligjore dhe rregullatore.Veç sigurimit të depozitave, ato paguajnë edhe për ngritjen e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, si edhe u kërkohen nivele më të larta në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit. Megjithatë, përgjigja e ASD është se ajo ende ndodhet në fazën e analizave lidhur me mënyrat e zhvillimit të mëtejshëm të skemës së sigurimit të depozitave.Në vijimësi të procesit të integrimit, legjislacioni shqiptar për sigurimin e depozitave duhet të përputhet gradualisht me atë të Bashkimit Europian. Për të mundësuar përputhshmërinë e plotë, janë disa çështje që duhen adresuar, duke filluar nga mospërputhja e nivelit maksimal të mbulimit me sigurim.Aktualisht, skema e sigurimit të depozitave bankare në Shqipëri garanton një mbulim ligjor deri në shumën maksimale prej 2.5 milionë lekësh. Ndërkohë, skema e mbulimit të depozitave në Bashkimin Europian parashikon një mbulim deri në shumën e 100 mijë eurove.Burimi: ASDKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.