Nga Julia Vrapi
Folklori popullor përcillet përmes koncerteve që zhvillojnë artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Koncerte të ndryshme janë zhvilluar nga artistët gjatë këtij sezoni artistik në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ndërsa përgjatë stinës së verës të tjerë koncerte do të zhvillohen jo vetëm brenda vendit, por dhe jashtë. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore ka nisur turneun e tij nëpër Shqipëri, duke sjellë trashëgiminë tonë shpirtërore më pranë publikut.
Sokol Marsi drejtori artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore shprehet se turi koncertor ka nisur këtë sezon nën siglën “Folk on Tour”. “Ansambli Kombëtar ka nisur koncertet e kalendarit veror brenda dhe jashtë vendit nën siglën “Folk on Tour” 2025. Si asnjëherë tjetër në Pilur, Lushnje, Patos, Tetovë, Gjenevë, Ulqin, Elbasan, Fier, Sarandë, Gjirokastër, Himarë, Vlorë…”Skena vjen tek ju””, shprehet Sokol Marsi drejtor artistik i ansamblit në një postim të tij në rrjete sociale. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore edhe në sezonet verore më parë ka shpalosur një program të pasur me koncertet e tij, ndërsa dhe përgjatë këtij sezoni veror po vijon me koncerte për publikun në skena të ndryshme.
Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore ose Ansambli Shtetëror, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh.
Artistët e Ansamblit Popullor në festivalin që u zhvillua në Lushnjë
Qyteti i Lushnjës ishte një ndër ndalesat e këtij turneu që ka nisur, ku Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore ishte i ftuar në natën finale të Festivalit Tipologjik të Valles Burimore, një ngjarje që i kushtohet ruajtjes dhe promovimit të folklorit autentik shqiptar. Vallet nga trevat shqiptare erdhën përmes interpretimit të grupeve të ndryshme folklorike në Festivalin Folklorik Tipologjik Kombëtar të Valles Popullore Burimore, ku në natën finale ishin dhe artistët e Ansamblit Popullor.
Festivali këtë vit zhvilloi edicionin e tij të 13-të dhe u zhvillua për dy ditë me radhë në qytetin e Lushnjës. Ky aktivitet kulturor ka për qëllim të paraqesë vlerat dhe arritjet më të mira në gjininë e valles popullore, si dhe të gjallërojë jetën kulturore. Në festival bëhet edhe paraqitja e kostumeve popullore kombëtare. Festivali Folklorik Tipologjik Kombëtar i Valles Popullore Burimore këtë edicion u zhvillua në datat 23 dhe 24 qershor.
Ansambli Popullor nis koncertet e kalendarit veror brenda dhe jashtë vendit nën siglën “Folk on Tour” 2025
