Kreut i Prokuroria e Posaçme (SPAK), Altin Dumani dhe dy prokurorë të tjerë janë hetuar për rreth 8 muaj për rrjedhje të informacioneve sekrete në media, duke përfshirë edhe sekuestrimin e telefonave të tyre. Në Gjykatën Kushtetuese, ku u zhvillua dje seanca e dytë për gazetarin Elton Qyno, avokati i Qynos, Dorian Matlia i pyeti dy prokurorët e SPAK, Ols Dado dhe Bledar Maksuti nëse ishin kryer hetime dhe sekuestrime si ndaj gazetarit, edhe ndaj prokurorëve dhe OPGJ-ve të dosjes së Nuredin Dumanit, nga e cila kanë rrjedhur sekrete hetimore që i kishte vetëm SPAK-u.
Prokurori i SPAK-ut Bledar Maksuti, i njohur si një prokuror serioz dhe me integritet, tha se ishin kryer hetime dhe sekuestrime ndaj anëtarëve të ekipit hetimor të çështjes brenda SPAK-ut, ashtu siç janë kryer veprime ndaj Qynos, të cilit iu sekuestruan telefonat, iu kontrolluar banesa dhe makina, si dhe u mbajt 6 orë në SPAK, për të treguar burimin e informacioneve të publikuara në media nga ana e tij për komunikime në SkyEcc. Prokurorë të dosjes ‘Plumbi i artë’ me të penduar Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajn që e humbi statusin rrugës, janë Behar Dibra, Doloreza Musabelliu dhe Altin Dumani. Kur gazetari Elton Qyno publikoi disa përgjime që nuk ishin në dosjen e SPAK që ka shkuar në gjykatë, por që SPAK i kishte si materiale bruto, SPAK hapi një procedim të ri penal për nxjerrje sekreti hetimor.
Ky procedim u bashkua me procedimin penal nr.75 të vitit 2022 me prokurorë të çështjes Behar Dibra, Doloreza Musabelliu dhe Altin Dumani. Kjo do të thotë se të tre prokurorët janë hetuar për 8 muaj me radhë për dyshime për nxjerrje sekreti hetimor, ashtu siç kanë hetuar Elton Qynon.
Deklarimet e Dumanit
Kujtojmë se Dumani, deklaroi pak kohë më parë se brenda Prokurorisë së Posaçme ka nisur hetim për rrjedhjen e sekretit hetimor. Në një intervistë, ai tha se kushdo që “bën të mundur rrjedhjen e informacionit apo kryen një vepër tjetër penale, do vendoset para përgjegjësisë penale”. “Sa i takon rrjedhjes së sekretit dhe gazetarët e kronikës janë dëshmitarë që është minimizuar shumë falë edhe masave të marra si institucion. Kemi hapur edhe hetime, aty brenda nesh për njëri-tjetrin për prokurorë, për hetues, kushdo që ka qenë në kontakt me informacionin i cili ka rrjedhur.
Ju garantoj që nëse ka prokurorë të prokurorisë së Posaçme, hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili bën të mundur rrjedhjen e informacionit apo kryen një vepër tjetër penale, do vendoset para përgjegjësisë penale. Kjo nuk diskutohet. Raporti nuk është përfundimtar, ka çështje që janë në hetim në lidhje me sekretin hetimor edhe nga brenda nesh”, tha Dumani. Një raport i fundit tregon se në 3 vitet e fundit, SPAK ka regjistruar 12 raste të dyshuara të rrjedhjes së sekreteve hetimore. Dosjet përfshijnë analiza të thelluara për përfshirjen e mundshme edhe të prokurorëve dhe hetuesve brenda SPAK, duke ngritur shqetësime të mëdha mbi integritetin dhe sigurinë e hetimeve të ndjeshme në Shqipëri.
Ruajtja e sekretit ka të bëjë me përfundimin me sukses të çështjes. Sekreti hetimor është art më vete, po t’u shfry të ikën edhe çështja prej duarsh. Këtu te ne ndodh që prokurorët e përdorin politikisht. Duhet manual për komunikimin e çështjeve hetimore. Procesi hetimor ka të lënduar, bashkëpunëtorë që duhen ruajtur deri në fund.
SPAK nuk kursen as të vetët, Altin Dumani dhe dy prokurorë të tjerë u hetuan për 8 muaj për rrjedhje të…
