Skandali me UBT, Qendresa Qytetare: Kriminalizimi i Universiteteve, SPAK të hetojë tenderin 87 mln euro për sigurinë

Qendresa Qytetare ka reaguar lidhur me hetimet që SPAK ka zhvilluar në Universitetin Bujqësor të Tiranës duke ngritur akuza për 28 persona, pedagogë, staf akademik dhe biznesmenë.
Hetimi i SPAK ka zbuluar skemën se si paracaktoheshin fituesit në tendera, në total 90 mln lekë. Në një reagim, Qendrasa Qytetare shprehet se tashmë është zbuluar kriminalizimi i Universiteteve.
“Dy ditë më parë SPAK kërkoi dy vite burg për Arben Gjatën ish Rektor i Universitetit të Mjekësisë, teksa këtë të shtunë, SPAK ka finalizuar hetimet lidhur me abuzimet me tenderat në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe ka marrë të pandehur 28 persona, përfshirë pedagogë, staf akademik dhe biznesmenë.
Duke operuar si një grup i strukturuar kriminal pedagogët, stafi akademik dhe sipërmarrësit në nëntë tendera të zhvilluar gjatë vitit 2022, me vlerë rreth 90 milionë lekë, bënë bërë shkelje që nga faza e përgatitjes së projekteve deri te shpallja e fituesve që ishin të përcaktuar.
Qëndresa Qytetare përgëzon hetimet e SPAK në Universitetin Bujqësor dhe kërkon që hetimet të shtrihen dhe në Universitetin e Tiranës dhe Universitetet Publike në rrethe që janë kthyer në vatra korrupsioni dhe nepotizmi”, thuhet në reagimin e Qendresës Qytetare.
Në vijim theksohet se “Qëndresa Qytetare kaloi pak muaj më parë kaloi në analizë shpenzimet e 7 Universiteteve Publike përgjatë vitit akademik 2023-2024, ku rezultoi se ato kishin harxhuar 87.9 milionë Euro”.
“Nga skanimi rezultoi se miliona euro alokoheshin për tenderat për sigurinë e Universititet merrnin pjesën e luanit, a thua se Universitet janë si Banka.
Këto tendera për sigurinë duhet të kalojnë patjetër në lupën e SPAK se rrisku që të jemi përballë tenderave të paracaktuar është i lartë.
Ndërkohë pjesa dërrmuese e fondit shkon për pagat, ku ndonëse dekadën e fundit humbën 60 mijë studentë, vijojnë të fryjnë honoraret dhe shpërblimin e vetes së tyre”, theksohet në reagim.