Organizimi i punës për Enciklopedinë synon që fjalësi të miratohet nga redaksia qendrore deri më 15 maj

“Enciklopedia shqiptare” një projekt i përbashkët i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës solli dhe mbledhjen me anëtarët e redaksisë qendrore dhe vendore Tiranë, ku organizimi i punës për të synon që fjalësi të miratohet deri më 15 maj. Mbledhja u zhvillua me drejtimin e kryeredaktorit të veprës akad. Skënder Gjinushi, kryetar i ASHSH. Mbledhja e radhës u zhvillua edhe për t’u njohur me konkluzionet e takimit dyditor të redaksive vendore Shqipëri- Kosovë, mbajtur në Vërnicë më 25-26 mars 2025, për ecurinë e mëtejshme deri në shqyrtimin e miratimin e fjalësit të projektit “Enciklopedia shqiptare” prej redaksisë qendrore pas miratimit të tij prej dy redaksive vendore.
Akad. Gjinushi tha se në Vërmicë u përcaktuan e formuluan disa detyra e rekomandime për redaksitë e fushave në përgatitje të fjalësit të unifikuar për t’ia përcjellë redaksisë qendrore, të cilat do të përmblidhen në një udhëzues. Drejtori i Qendrës së Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike dr. Arian Leka shprehu dakordësinë me udhëzimet e dhëna nga redaksia qendrore veçanërisht në drejtim të garantimit e verifikimit të plotësimit të kritereve për çdo artikull, detyruar kjo dhe nga fakti se 70 për qind  e “Enciklopedisë shqiptare” është lëndë e re. Organizimi i punës do të synojë që fjalësi të miratohet nga redaksia qendrore deri më 15 maj për të kaluar në fazën e kategorizimit të artikujve dhe përcaktimin e autorëve hartues të tyre.
Në mbledhje morën pjesë  akad. Anila Hoda, sekretare shkencore e ASHSH-së; akad. Shaban Sinani, drejtues i redaksisë vendore dhe përgjegjës i seksionit për “Enciklopedinë shqiptare”; dr. Arian Leka, drejtori i Qendrës së Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike; akad. Dhimitër Haxhimihali; akad. Ilirian Malollari; akad. Kosta Barjaba; prof.dr. Perikli Qiriazi; akad. Adem Bunguri; prof. dr. Aleksandër Xhuvani; prof. dr. Aljula Jubani dhe prof. dr. Valbona Toska (online) nga Maqedonia e Veriut.