Intervistë me Elton Çollaku, Administrator i Union Financiar Tiranë (UFT) Shërbimet e institucioneve të parasë elektronike do të jenë një urë lidhëse mes teknologjive të reja të pagesave dhe shërbimeve të bankingut tradicional.Elton Çollaku, Administrator i Union Financiar Tiranë (UFT), thotë në një intervistë për “Monitor” se institucionet fintech mund të jenë në një pozicion të favorshëm për të ofruar zgjidhje të personalizuara dhe për të sjellë novacion edhe në segmente që shpesh nuk përfshihen ose nuk mbulohen plotësisht nga bankat.Z. Çollaku mendon se kategoritë më premtuese të shërbimeve përfshijnë pagesat e mikrotransaksioneve në shërbimet e përditshmërisë, tregtinë elektronike, mikrokreditë dhe produkte të kombinuara me pagesat, si dhe ofrimin e shërbimeve për SME-të dhe kategoritë e popullsisë që nuk janë të mbuluara në mënyrë të përshtatshme nga sistemi bankar tradicional.Ai gjithashtu mendon se ka potencial të madh në ofrimin e shërbimeve të personalizuara financiare nëpërmjet analizës së të dhënave, si dhe në bashkëpunimet me sektorin publik për dixhitalizimin e shërbimeve. Cilat janë produktet dhe shërbimet kryesore të pagesave elektronike që keni zhvilluar deri më sot?Union Financiar Tiranë (UFT) ka një përvojë 30-vjeçare me zhvillime dhe inovacion të vazhdueshëm në përshtatje me kërkesat e klientëve dhe zhvillimet teknologjike ndërkombëtare. Që prej fillimit të operacioneve jemi fokusuar në përmbushjen e nevojave të klientëve tanë, duke u paraprirë edhe inovacioneve në fushën e shërbimeve të pagesave.Pagesat elektronike kanë një vend të rëndësishëm në gamën e gjerë të shërbimeve tona, sidomos gjatë viteve të fundit. Si një fintech lider në fushën e shërbimeve të pagesave, ne jemi të fokusuar edhe në inovacionin dixhital.UFT ka zhvilluar platformën UPay, një ekosistem i integruar pagesash që përfshin: portofol dixhital për përdoruesit fundorë dhe klientët biznes, zgjidhje për pagesa me kartë, QR Kod, NFC, API për pagesa të integruara për e-commerce, pagesa të faturave dhe transferta parash të menjëhershme, e të tjera zhvillime që i shtohen vazhdimisht platformës.Në këtë kuadër, dua të ndalem te risitë e fundit që UPay ka hedhur në treg:– Transfertat Ndërkombëtare të parave Western Union tashmë janë të disponueshme edhe nga celulari, nëpërmjet aplikacionit UPay. Çdo përdorues i UPay mund të dërgojë apo të marrë para në çdo cep të botës ku operon Western Union. Ky zhvillim në UPay është edhe një risi për rajonin e më gjerë. UPay bëhet portofoli i parë elektronik në Europë që ofron shërbimin e transfertave të parave Western Union, si Dërgesa në mbi 200 shtete dhe territore, ashtu edhe Tërheqje direkt në llogarinë e tyre UPay.– Karta UPay, Mastercard që zgjeron funksionalitetin e aplikacionit UPay duke rritur mundësitë e blerjeve dhe transaksioneve për përdoruesit. Karta UPay është një kartë debiti që lidhet direkt me aplikacionin UPay të kartëmbajtësit dhe i jep mundësinë të përdorë fondet e disponueshme në llogarinë UPay. Aplikimi dhe aktivizimi kryhen tërësisht online, direkt në aplikacion. Karta UPay është një partner i zgjuar në menaxhimin e parave dhe financave personale, me mundësi pafund përdorimi si brenda ashtu edhe jashtë vendit, si në blerje online, në dyqane fizike, pagesa me Google Pay nëpërmjet integrimit me Google Wallet, e të tjera përdorime si çdo kartë tjetër Mastercard.Më shumë se një portofol, UPay ofron edhe zgjidhje unike për bizneset, nëpërmjet integrimeve të shpejta dhe sigurisë maksimale sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, duke i ndihmuar të dixhitalizojnë proceset e tyre të pagesave dhe sistemet e raportimit në kohë reale. Në çfarë faze është zhvillimi i portofolave dixhitalë dhe cilat janë rezultatet e deritanishme në përdorimin e këtyre portofolave nga klientët tuaj?Portofoli dixhital UPay është funksional prej disa vitesh tashmë, por evoluimi i tij si platformë është në progres të vazhdueshëm. Kemi një bazë të mirë aktive përdoruesish që përdorin shërbimet që ne ofrojmë për pagesa utilitetesh, transfertat e parave, pagesa online e shumë të tjera.Të dhënat tona tregojnë rritje të qëndrueshme të përfshirjes dixhitale, veçanërisht te të rinjtë dhe përdoruesit që më parë nuk kishin akses në produktet financiare tradicionale.Përdoruesit e kanë mirëpritur veçanërisht lehtësinë e regjistrimit dhe aktivizimit të llogarisë së tyre “Full Digital Onboard”, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, përvojën intuitive të përdorimit dhe sigurinë e transaksioneve.Thjeshtësia dhe shpejtësia janë patjetër avantazhe të tjera që klientët tanë i kanë gjetur tek UPay dhe kanë ndikuar si në rritjen e vazhdueshme të përdoruesve, ashtu edhe të numrit të transaksioneve dhe kategorive të shërbimeve të kryera. Cilat janë rezultatet e para të bërjes operacional të konceptit të Open Banking dhe të shërbimeve të lidhura me të?Open Banking është një realitet tashmë dhe UFT është angazhuar maksimalisht me të gjitha bankat e nivelit të dytë për t’i bërë pjesë së skemës së përdorimit në UPay.Integrimet janë përfunduar me pjesën më të madhe të bankave të nivelit të dytë dhe po vijojmë finalizimin e integrimit edhe me bankat e tjera, që për momentin kanë kufizime në zgjidhjet e tyre teknike.Gjatë këtij procesi ka pasur bashkëpunim të ngushtë midis stafit tonë teknik dhe atij të bankave duke dhënë sugjerimet tona dhe duke rrahur idetë për të lehtësuar këtë zhvillim e për ta bërë operacional në një kohë sa më të shkurtër.Ne kemi zhvilluar produkte të reja, të cilat mbështeten në infrastrukturën e Open Banking për t’u ofruar klientëve një përvojë “Pay by Bank” me zero kosto.Me përfundimin e procesit të integrimeve ne do të ofrojmë një eksperiencë “multi-bank” për të gjithë përdoruesit e UPay, duke përfshirë kontrollin e llogarive dhe inicimin e pagesave.Kjo do të përmirësojë ndjeshëm përvojën e përdoruesit dhe do të rrisë transparencën në menaxhimin e financave personale. Cilat vlerësoni se janë pengesat kryesore për masivizimin e pagesave elektronike në Shqipëri?Deri tani ka pasur një mungesë të produkteve dixhitale në kategorinë e pagesave të menjëhershme, gjë që nuk stimulonte përdorimin e kanaleve dixhitale në raport me CASH-in.Vitet e fundit, për shkak edhe të rritjes së aktivitetit të turizmit, pagesat elektronike kanë shënuar rritje të ndjeshme. Nëse para disa vitesh, bizneset nuk e konsideronin pajisjen me një instrument për pagesa elektronike, sot jemi në një tjetër situatë.Bizneset, të ndërgjegjësuar gjithnjë e më shumë për avantazhet e pagesave elektronike dhe sigurisht edhe të nxitur nga kërkesat e klientëve për mundësinë e pagesës elektronike, kanë shtuar interesin në këtë drejtim.Pra, kemi tregues të qartë që biznesi është gati për të përqafuar produktet e reja dixhitale.Zhvillimi i produkteve të reja si “instant payment” dhe “QR të standardizuar”, të dy projekte që po zhvillohen nga Banka e Shqipërisë, do të bëjnë të mundur masivizimin e pagesave elektronike dhe Union Financiar synon të jetë një driving forcë në këtë proces. Cila mund të jetë vlera e shtuar e institucioneve të parasë elektronike (IPE) në tregun e pagesave dhe avantazhet konkurruese ndaj bankave?Personalisht shoh hapësira ku IPE mund të shërbejnë si lojtarë komplementarë të tregut të shërbimeve financiare e bankare, madje ka shumë hapësira ku Bankat e Nivelit të Dytë dhe IPE/Fintech mund të bashkëpunojnë mjaft mirë mes tyre. Në këtë linjë, UFT ka disa histori suksesi në treg, në bashkëpunim me disa banka të nivelit të dytë, e jo vetëm.Bazuar në eksperiencën tonë disavjeçare në tregun e pagesave dixhitale, ne kemi ndërtuar një strukturë fleksibël dhe dinamike që na mundëson të fokusohemi tërësisht në zhvillimin teknologjik.Si institucion i parasë elektronike, nuk synojmë të zëvendësojmë shërbimet bankare tradicionale, por t’i plotësojmë ato me zgjidhje të thjeshta, të shpejta dhe të aksesueshme për një bazë të gjerë përdoruesish duke kontribuar në përfshirjen financiare, sidomos të segmenteve më pak të mbuluara nga sistemi bankar.Në këtë mënyrë, UPay funksionon si një hallkë plotësuese në zinxhirin e shërbimeve financiare, duke krijuar ura të reja lidhjeje midis teknologjisë dhe bankingut tradicional. Çfarë ndikimi mund të ketë implementimi i sistemit të instant payments në tregun e pagesave elektronike dhe veçanërisht në aktivitetin e institucioneve të e-money?Implementimi i sistemit të pagesave të menjëhershme (instant payments) do të transformojë tregun e pagesave elektronike në Shqipëri. Ndërsa përdorimi i parasë fizike mbetet ende i lartë, ky zhvillim do të krijojë mundësi reale për të përshpejtuar kalimin drejt një ekonomie më moderne dhe të dixhitalizuar.Për ne në UPay, ky përbën një hap strategjik që përputhet në mënyrë të natyrshme me misionin tonë: të ofrojmë shërbime financiare të aksesueshme, të shpejta dhe të orientuara drejt përdoruesit fundor.Sistemi i instant payments do të na lejojë të ofrojmë transaksione në kohë reale, 24/7, me ndërveprim të menjëhershëm dhe kosto më të ulët, duke rritur kështu vlerën e shërbimit që u ofrojmë klientëve tanë.Ne jemi të angazhuar për të qenë pjesë aktive e këtij transformimi duke ofruar zgjidhje që e bëjnë përditshmërinë financiare më të thjeshtë, më të sigurt dhe më “smart” për të gjithë. Në cilat segmente të tregut të pagesave shihni më shumë potenciale për depërtimin e institucioneve fintech?Penetrimi i fintech është një proces në zhvillim që po ndryshon thelbësisht mënyrën si kryhen pagesat dhe transfertat e parave. Në Shqipëri, potenciali është i lartë, por kërkon edukim të tregut, mbështetje rregullatore dhe bashkëpunim ndërinstitucional.Shpesh krijohet përshtypja se produktet e institucioneve fintech kanë mbivendosje me produktet bankare (ndoshta kjo dhe prej faktit të një numri të madh institucionesh të parasë elektronike të licencuara, ku një pjesë e tyre me sa duket kanë paqartësi në modelin e biznesit dhe tregun e synuar), dhe po ofrojnë të njëjtat alternativa që tradicionalisht ofroheshin nga sistemi bankar, por në fakt, target grupet tona janë shumë të ndryshme.Teorikisht fintech-et duhet të jenë në një pozicion të favorshëm për të ofruar zgjidhje të personalizuara dhe për të sjellë novacion edhe në segmente që shpesh nuk përfshihen ose nuk mbulohen plotësisht në bankingun tradicional.Kategoritë më premtuese përfshijnë pagesat e mikrotransaksioneve në shërbimet e përditshmërisë, tregtinë elektronike / e-commerce, mikrokredi dhe produkte të kombinuara me pagesat, si dhe ofrimin e shërbimeve për SME-të dhe kategoritë e popullsisë që nuk janë të mbuluara në mënyrë të përshtatshme nga sistemi bankar tradicional.Gjithashtu, ka potencial të madh në ofrimin e shërbimeve të personalizuara financiare nëpërmjet analizës së të dhënave, si dhe në bashkëpunimet me sektorin publik për dixhitalizimin e shërbimeve. Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.
UPay, urë lidhëse mes teknologjisë dhe bankingut tradicional
