‘Shqipëria, zero hapa drejt BE-së’, Abilekaj: Rama, asnjë rezultat konkret për integrimin

Gazetari Enton Abilekaj ka kritikuar qeverinë shqiptare për mungesën e përparimit në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Gjatë një interviste televizive, ai theksoi se në dhjetë vitet e fundit, kryeministri Edi Rama nuk ka ndërmarrë hapa konkretë për të përshpejtuar këtë proces.
Sipas Abilekajt, një tregues i qartë i këtij stagnimi është mos-publikimi i progres-raportit të BE-së për Shqipërinë në mars, i cili është shtyrë për pas zgjedhjeve europiane. Ai argumentoi se ky vendim tregon mungesën e përmirësimeve të vendit në kriteret kryesore të anëtarësimit.
“Në fushat kryesore si pastrimi i parave, ekonomia dhe klima e biznesit, qeveria shqiptare mund të marrë vetëm notën 1 ose 2,” u shpreh Abilekaj, duke shtuar se këto probleme e bëjnë të pamundur anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Ai theksoi se, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, Shqipëria nuk ka bërë asnjë hap real drejt BE-së nga viti 2014 deri më sot, duke akuzuar qeverinë Rama për bllokimin e procesit. Sipas tij, gjatë dekadës së fundit nuk ka pasur asnjë deklaratë nga liderët e BE-së që të tregojë përmirësime në kriteret e integrimit për Shqipërinë.
“Në këto 10 vite, qeveria nuk ka dhënë asnjë rezultat konkret për integrimin. Në fakt, na ka mbajtur peng,” përfundoi Abilekaj.