Rritja e dëmeve nga stuhia në Greqi: Rrugë pjesërisht të shkatërruara, porte të varrosura nga shkëmbinj

Në të gjithë Greqinë janë në fuqi paralajmërime për shi të dendur dhe përmbytje, veçanërisht në Kretë, ishullin më të madh të vendit, i cili tashmë është pjesërisht i përmbytur, raportojnë mediat vendase dhe të huaja.

Sot është dita e tretë e stuhisë së fuqishme që ka goditur rëndë ishujt në Egjeun Qendror, dhe sipas parashikimeve, ajo do të zgjasë deri të shtunën.

Moti i keq ka prekur kryesisht ishujt Ciklade në Egjeun Qendror, të njohura për popullaritetin e tyre turistik. Aty, rrugët janë dëmtuar pjesërisht, ndërsa disa nga portet më të vogla janë mbuluar me gurë dhe baltë.
🚨 The extraordinary beauty of Mykonos, Greece 🇬🇷 is being put to the test this week by flooding and torrential rains affecting the central-western Mediterranean https://t.co/gtwskR5SWT pic.twitter.com/5YZDF2yE9j— Mambo Italiano (@mamboitaliano__) April 2, 2025

Autoritetet në Paros dhe Mikonos, ku të hënën brenda dy orësh ra më shumë shi se gjatë gjithë vitit, po punojnë për pastrimin e rrugëve dhe riparimin e infrastrukturës së dëmtuar nga stuhitë me breshër dhe përmbytjet e rrëmbyeshme.

Të hënën, në Paros, stuhia ka rrëmbyer makina dhe i ka hedhur në det, ndërsa uji dhe balta kanë përmbytur shtëpi dhe biznese. Autoritetet kanë kërkuar ndihmë urgjente nga qeveria. Mikonos, një ishull fqinj, ka pësuar gjithashtu dëme nga breshëri dhe erërat e fuqishme.

Ekipet e shpëtimit në Kretë po nxjerrin njerëzit nga automjetet e mbetura në ujë të thellë dhe baltë. Rënia e gurëve ka bërë që disa rrugë të mbyllen.

Në Rodos, ku stuhia po lëviz, era tashmë ka rrëzuar pemë dhe ka shkatërruar çatitë.