Në një takim me profesorë, studiues dhe studentë të gjuhës shqipe në Universitetin e Kalabrisë Presidenti i Republikës vlerësoi “këtë qendër të rëndësishme akademike në zemër të një rajoni që ruan me krenari gjuhën, kulturën dhe kujtesën arbëreshe”.
Presidenti i Republikës Bajram Begaj vizitoi Universitetin e Kalabrisë për të nderuar veprën e profesorëve dhe studiuesve të gjuhës shqipe në këtë universitet në 50-vjetorin e krijimit të Katedrës dhe Laboratorit të Albanologjisë.
“Ky universitet, që është në zemër të rajonit të Kalabrisë, ka një mision tjetër shumë të rëndësishëm: të mbrojë, të promovojë dhe të trashëgojë gjuhën arbëreshe. I falënderoj nga zemra të gjithë profesorët e katedrës së gjuhës e të kulturës shqipe. Ky është një vit përkujtimor, ku bëhen 50 vjet të kësaj katedre, dhe uroj e besoj që kjo katedër do të përjetojë gjithmonë, do të jetë përjetë, do ta mbrojë përjetë arbërishten, sepse duke mbrojtur gjuhën dhe kulturën shqipe kemi promovuar edhe figurën e atij që themeloi këtë katedër, Françesko Solanos.
Një punë e jashtëzakonshme 50-vjeçare, e ndjekur me shumë pasion nga profesor Altimari dhe shumë të tjerë që vazhdojnë e studiojnë arbërishten, e cila kulmon në promovimin dhe botimin e shumë veprave dhe librave që do t’i shërbejnë brezit të ri. Është ajo çfarë ne na duhet për të ndërtuar të ardhmen tonë, për të ndërtuar të ardhmen e marrëdhënieve të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Italisë.”
Presidenti Begaj çmoi kontributin, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të studiuesve dhe profesorëve për ruajtjen e lidhjeve shkencore dhe kulturore ndërmjet Shqipërisë e shqiptarëve dhe komuniteteve arbëreshe si një trashëgimi që meriton respekt të veçantë.
Kreu i Shtetit përgëzoi studiuesit për tekstin shkollor të sapobotuar për mësimin e gjuhës arbëreshe, ndërsa u shpreh: “Këtu në sallë profesori dëshmoi atë që ne e përsëritëm gjatë ditës, thënien e Nënë Terezës, që, kur bën gjëra të vogla me dashuri të madhe, patjetër që do të arrish suksese. Humanizmi i atyre profesorëve, pa asnjë lloj kërkese financiare, vetëm e vetëm për të promovuar një libër, i cili do t’i shërbejë brezave dhe brezave, si dhe trashëgimisë së kësaj vlere të jashtëzakonshme gjuhësore, është vërtetë për t’u falënderuar. Themeli i këtyre marrëdhënieve është komuniteti arbëresh që, me veprën e tij prej më shumë se 5 shekuj, na ka treguar se sa e rëndësishme është të mbrojmë gjuhën, sa e rëndësishme është të mbrojmë identitetin tonë kulturor, gjuhësor dhe kombëtar. Fjalët janë tepër, veprat janë ato që mbeten. Veprat e atyre mësuesve që do t’i shërbejnë brezave, veprat e prodhuara nga profesor Altimari që do t’i mbeten brezave të tëra, do të prodhojnë shumë studiues të tjerë për të ardhmen tonë. Është shumë e rëndësishme që katedra e Albanologjisë në Kalabri të vijojë misionin e saj të lartë për ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës e kulturës arbëreshe”.
Nga biblioteka e Universitetit të Kalabrisë, Presidenti i Republikës iu bashkëngjit ftesës së profesor Altimarit për mbështetjen, forcimin dhe bashkëpunimin me tri qendrat e rëndësishme kërkimore dhe arsimore në Itali që i janë dedikuar gjuhës shqipe në Universitetin e Kalabrisë, atë të Palermos dhe Romës.
Gjatë vizitës në Universitetin e Kalabrisë, Presidenti i Republikës u prit në një takim të veçantë nga Rektori i Universitetit të Kalabrisë, profesor Nicola Leone.
“Ruan me krenari gjuhën, kulturën dhe…”/ Presidenti Begaj mirëpritet në Universitetin e Kalabrisë: Trashëgimi vlerash
