Edhe dje në pallatin e Sportit “Farie Hoti” vijoi rinumërimi i votave për qarkun e Tiranës. Deri më tani janë hapur 911 kuti nga 1282 kuti në total, ose 64% e kutive. Trendi i rinumërimit vijon i njëjtë, ku deri më tani janë zbuluar vetëm gabime të vogla, që nuk sjellin asnjë ndryshim as në mandatet mes partive politike, por as në renditjen e kandidatëve në listë të hapur. Shanset që Partia Demokratike të marrë mandatin e 14-të në Tiranë, me këtë trend të rinumërimit, janë zero. Ajo kryeson me numrin e votave të marra padrejtësisht më 11 maj, ku deri më tani nga rinumërimi i zbriten 471 vota, ndërkohë që PS ka 337 që s’i takonin.
Pjesa më e madhe e këtyre votave janë të pavlefshme, ose vota që u janë marrë partive të vogla. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka gjithashtu 37 vota të pamerituara, PSD 30 vota, Lëvizja Bashkë 51 vota ndërsa Partia Mundësia ka 33 vota më shumë. Të gjitha votat që s’u takojnë, këtyre partive u zbriten. Ndërkohë, Koalicionit Euroatlantik i shtohen 25 vota, të cilët rezultojnë se ia kanë marrë nga numërimi i parë. Edhe Koalicionit Djathtas për Zhvillim i Enkelejd Alibeajt rezulton se i kanë marrë 4 vota nga 11 maji. Edhe kandidatët kanë marrë vota pa meritë. Ilir Alimehmeti i PD ka 119 vota të pamerituara, që u zbriten nga rezultati fillestar.
Ilir Meta rezulton se ka marrë 50 vota pa meritë, Myslim Murrizi i janë shtuar padrejtësisht 44 vota. Vota pa meritë kanë shkuar edhe në drejtim të Jorida Tabakut, e cila deri më tani ka 77 vota të tilla. Edhe në PS ka lëvizje votash. Numrin më të lartë të votave që i janë shtuar pa meritë e ka Ervin Hoxha me 260. Fatmir Xhafaj ka 150, Xhemal Qefalia ka 130, Erion Braçe ka 159. Ky i fundit reagoi ashpër duke akuzuar KAS se po ia kthen votat në të pavlefshme, ndërsa ka ndarë edhe disa foto, ku thotë se nëse KAS mendon se ai ka vjedhur vota, këtë duhet ta thotë me vendim. Nga ana tjetër, vetë anëtari i PD në KAS, Ledio Braho, thotë se deri tani nuk ka trafikim masiv votash për kandidatët.
Reagon Braho
Ndërkohë anëtari i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), një strukturë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ledio Braho, i propozuar nga PD, foli dje për procesin e rinumërimit në qarkun e Tiranës. Braho u pyet nga gazetarët edhe për rastin e Braçes, i cili prej dy ditësh ka publikuar foto të votave të tij që janë shpallur të pavlefshme në rastet kur shenja e votimit nuk ka qenë brenda kutisë. Braho tha se manuali i miratuar nga Komisioni Rregullator për votën e pavlefshme është orientues, duke theksuar se kanë ndjekur të njëjtin standard për të gjithë. Braho komentoi edhe një fletë votimi që është shpallur e pavlefshme, e ndarë nga Braçe, ku një votues në vend të shenjës së votimi plus, ka vendosur shenjën e një organi gjenital.
Braho tha se nëse PS ka kontestime për këtë votë që e kanë shpallur të pavlefshme, t’i drejtohen KAS me kërkesë. “Manuali i miratuar nga komisioni rregullator është orientues dhe nuk mund të parashikohet fantazia e çdo votuesi apo çdo sjellësi në manual, në mënyrë që të sillemi si një proces mekanik për të vlerësuar votat e vlefshme apo e pavlefshme. Mua ma dërguan postimin e Zotit Braçe. Vota ishte një shënim që kishte një organ gjenital mashkullor në fletën e votimit. Partia Socialiste, siç bëri edhe disa ditë më parë që bëri një kërkesë, mund t’i drejtohet KAS me një kërkesë tjetër. Dhe të kërkojë që çdo votë që ka një organ gjenital mashkullor apo femëror të konsiderohet nga KAS si e vlefshme dhe ne do të shprehim me vendim, siç u shprehem edhe në rastin e parë”, deklaroi ai.
Më tej Braho u pyet edhe për ankesat e kandidatit demokrat, Ilir Alimehmeti. Por, deri më tani ai thotë se rezultatet e rinumërimit tregojnë se kemi të bëjmë me interpretime votash individuale dhe jo me trafikim masiv votash. “Kur nisi ky proces, nisi me pretendime për trafikim prej mijëra votash, kryesisht nga kandidatët, pa dashur t’i vë emrin. Të ishin kandidatë dhe nga ata që kanë bërë kërkesë ankimore dhe nga ata që s’kanë bërë kërkesë ankimore, por duket qartë që nuk kemi arritur në shifra të tilla. Jemi shifra shumë më të ulëta dhe sot që po diskutojmë, po të vihet re edhe nga postimet e kandidatëve apo edhe nga media, bëhet fjalë vetëm për pretendime për bishta kryqesh, pra është bishti brenda kutisë apo jashtë kutisë, është qendra e kryqit mes dy kutive apo brenda një kutie.
Çka tregon qartësisht se ka të bëjë vetëm me interpretime votash individuale dhe jo me trafikim masiv votash. Për aq kohë sa nuk ka pasur një trafikim masiv sa i përket kandidatëve apo subjekteve. Unë besoj se tani askush nuk mund të bëjë pjesë pis procesin e numërimit. Pra, flasim për administrimin zgjedhor që është bërë nga KZAZ dhe grupet e numërimit dhe tani po tentohet nëpërmjet mënyrave të tjera që të bëhet pis procesit i rinumërimit këtu në KQZ nëpërmjet numëruesve të KQZ”, nënvizoi Braho.
Detaje nga mbledhja e KQZ
Nga ana tjetër Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi përfundimisht rezultatin e zgjedhjeve për qarqet Korçë, Kukës, Lezhë dhe Gjirokastër. Kjo pasi Kolegji Zgjedhor rrëzoi ankimin e PD-së për këto qarqe dhe konsiderohet e ezauruar në çdo hallkë ankimimi për rezultatin. Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi shpërndau dje mandatet për deputetët e zgjedhur në 4 qarqe. Partia Socialiste në Kukës ka fituar 1 mandat, në Korçë 6, në Lezhë 3 dhe Gjirokastër 3 mandate. Ndërsa koalicioni i Partisë Demokratike në Kukës ka fituar 2 mandate, në Korçë 4, në Lezhë 4 dhe Gjirokastër 1 mandat. Më e gjatë rruga e shpërndarjes së mandateve, që është hapi i fundit që KQZ të certifikojë zgjedhjet, duket për 4 qarqet e tjera ku me kërkesë të PD është vendosur hapja e kutive të votimit. Për Elbasanin, verifikimi i fletëve të votimit është mbyllur, ndërsa në pallatin e Sportit Fahrie Hoti vijon të numërohet Tirana dhe më pas do të vijohet me Fierin e Durrësin.
QARKU KUKËS
PD ASHM – 2 mandate
Flamur Hoxha (lista e mbyllur)
Isuf Çelaj (lista e hapur)
PS – 1 mandat
Eduard Shalsi (lista e mbyllur)
QARKU GJIROKASTËR
PD ASHM – 1 mandat
Tritan Shehu (lista e mbyllur)
PS – 3 mandate
Mirela Kumbaro (lista e mbyllur)
Tërmet Peçi (lista e hapur)
Piro Dhima (lista e hapur)
QARKU KORÇË
PD – ASHM – 4 mandate
Ivi Kaso (lista e mbyllur)
Ledina Alolli (lista e mbyllur)
Bledjon Nallbati (lista e mbyllur)
Fidel Kreka (lista e hapur)
PS – 6 mandate
Niko Peleshi (lista e mbyllur)
Romina Kuko (lista e mbyllur)
Genti Lakollari (lista e mbyllur)
Ilirian Pendavinji (lista e hapur)
Bledi Çomo (lista e hapur)
Besa Spaho (lista e hapur)
QARKU LEZHË
PD ASHM – 4 mandate
Agron Gjekmarkaj (lista e mbyllur)
Elda Hoti (lista e mbyllur)
Gjin Gjoni (lista e hapur)
Kastriot Piroli (lista e hapur)
PS – 3 mandate
Ulsi Manja (lista e mbyllur)
Ermal Pacaj (lista e hapur)
Admir Kadeli (lista e hapur)
KQZ vulos rezultatin për Kukësin, Lezhën, Korçën dhe Gjirokastrën, u jep mandatin deputetëve të dalë nga zgjedhjet e…
