Elira Kokona, “dora” e oligarkëve për përvetësimin e pronave publike, 7 punë në konflikt interesi dhe 450 mijë euro…

Shqipëria është përballë një skeme grabitjeje të pashembullt, ku pronat shtetërore po tjetërsohen me firmën e një grushti njerëzish të besuar të kryeministrit Edi Rama. Në krye të këtij operacioni të errët është Elira Kokona, e emëruar në krye të Korporatës së Investimeve Shqiptare, një ent misterioz i krijuar për të menaxhuar e më pas privatizuar pasuritë publike. Por kush është Kokona? Ajo ka mbajtur funksione të rëndësishme në qeverisje pas vitit 2013. Kokona ka qenë sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë dhe më pas sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës.
Këto detyra dyshohet se Kokona i ka ushtruar në konflikt interesi me disa funksione dhe veprimtari të tjera, pasi në të njëjtën kohë rezulton se ka ushtruar aktivitetin e saj privat si avokate deri në vitin 2014. Madje zonja Kokona rezulton se ka mbrojtur në arbitrazh interesat e klientëve të saj që ishin në gjyq me qeverinë deri në vitin 2015. Sipas medias “Prapaskena”, në vitet 2015-2016, në llogarinë e saj kanë kaluar rreth 450 mijë euro si pjesë e trashëgimisë nga zbatimi i dy vendimeve të Strasburgut.

Ka dyshime të forta se Elira Kokona ka përdorur funksionet si Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë dhe më pas si Zv Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Ministrave, për të mbledhur dokumente në funksion të çështjeve të saj kundër Shqipërisë.

Krahas funksionit të Sekretares së Përgjithshme dhe veprimtarisë si avokate në çështjet kundër shtetit shqiptar, zonja Kokona ka deklaruar të ardhura edhe mësimdhënia në Shkollën e Avokatisë, mësimdhënia në Shkollën e Magjistraturës, mësimdhënia në Universitetin Luarasi, si eksperte e KSHC, ekspertizë me KE.
Elira Kokona “dora e oligarkëve”
Kujtojmë se në artikullin  kaluar raportuam se Korporata e Investimeve Shqiptare  ka nisur punën për të kaluar në duart e të njëjtit rreth klientësh pronat dhe pasuritë e fundit publike që kanë mbetur.  Janë piketuar prona strategjike, vila qeveritare, ndërtesa të vjetra, zyra, troje shtetërore etj., për disa oligarkë. Këta të fundit do të investojnë për të ngritur kulla, resorte dhe vila, ndërsa shteti do të përfitojë zyra ‘falas’. Disa nga projektet zhvatëse janë;
–Kthimi i vilave qeveritare në Vlorë në hotole luksoze.
–Kthimi i vilave qeveritare në Velipojë në hotele luksoze. –Ndërtimi dhe menaxhimi i godinës së Kadastrës pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit.
–Ndërtimi i kompleksit guvernativ në zonën urbane pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në një truall rreth 12 mijë m2.
–Ndërtimi i tadiumit të “Selman Stërmasi, ku privati do të shfrytëzojë një territor 60 mijë m2.
–Godina e re e Bibliotekës Kombëtare në afërsi të Qytetit Studenti, me një sipërfaqe trualli prej 27 mijë m2. Rasti i parë ishte hapja e rrugës së resorteve dhe ndërtimeve në skajin më jugor të Shqipërisë, fshatin Vrinë në Konispol. Ky fshat njihet për fushat e stërmëdha, që shtrihen në kufijtë e Parkut të Butrintit, te Kalaja e Ali Pashës dhe në kufi me Greqinë. Ndërsa disa plane të tjera për të përlarë pasuritë publike janë në proces. Ato lindin zakonisht në darkat dhe drekat me verë të shtrenjtë.