Alibeaj: Shqiptarët na thanë në zgjedhje që mos t’i besohet më Berishës, rinumërimi një justifikim banal i Saliut,…

Deputeti Enkelejd Alibeaj që ishte dhe kandidat i koalicionit ‘Djathtas për Zhvillim’, theksoi se rinumërimi ishte thjesht një arsye që ish-kryeministri Sali Berisha të justifikojë humbjen duke përsëritur shprehjen ‘shtyje ta shtyjmë’. “Mund të dalin disa përfundime nga ky proces, sigurisht nuk i ka ato përfundimet me të cilat u nis, kërkesa e madhe se ishte bërë batërdia në numërim. Nuk rezultoi. Madje siç e thoni ju, ata që e kërkuan me të madhe, nëse do isha cinik, do përdorja fjalën, janë ata që janë grabitësit më të mëdhenj të shqiptarëve. Këto janë shifra siç e thatë dhe ju, të gabimit njerëzor”, tha Alibeaj. Nga ana tjetër, Alibeaj tha se nuk do duhet t’i besohet më partive të mëdha dhe se procesi duhet digjitalizuar. “Rinumërimi i votave ka ende pabesi dhe skepticizëm.
Ajo që po ndodh atje, përveç se është shpenzim, që shkon në 210 mijë euro ky proces, por edhe po shton delegjitimimin e procesit. Vota e shqiptarëve duhet të ketë të gjitha kushtet. Nëse ka një konkluzion të rëndësishëm, është që vota të mos u besohet më përfaqësuesve politikë të dy partive të vjetra, të PD-së dhe PS-së”, tha Alibeaj. Ai tha se Berisha gjeti një nga format më banale për të shtyrë justifikimin e kësaj humbjeje kaq të thellë. “Në fakt ata që e kërkuan, që në fakt e kërkoi Sali Berisha. Këto historitë që i kërkuan jo po kandidatët do duhet hedhur pak dritë. Në momentin kur ata e kërkuan se kishin dyshime, nuk u pranua nga ana e partisë. Në një ditë të bukur ishin përfaqësuesit e opozitës që kërkuan të rinumërohej Tirana. Përfaqësuesit aty i marrin urdhrat prej kryetarit të partisë, në rastin konkret prej Sali Berishës. Ai thjesht e ka bërë që të mbajë të ndezur kureshtjen e rezultatit. Mesa duket brenda ka një lloj pakënaqësie.
Por nga ana tjetër ai ndodhet dhe përballë një dileme të madhe, atë të zbatimit apo jo të statutit të vetë që e ka shkruar me dorën e vet. Ka gjetur zgjidhjen kaq banale, ta shtyjmë e ta shtyjmë.” – tha Alibeaj Më tej ai bëri një analizë juridike duke hedhur poshtë pretendimet për pavlefshmëri, ku tha se ato që PD ka nxjerrë si manipulime nuk kanë një peshë për të ndikuar në përmbysjen e rezultatit. “Kushdo që e ngre pretendimin për pavlefshmëri, sipas ligjit do duhet të provojë edhe masën e influencimit, sesa ka ndikuar kjo mënyrë që ata pretendojnë. Diferenca është në 300 mijë dhe do duhet ta provosh”, vijoi Alibeaj Ai tha se e ka thënë prej kohësh që opozita i shiti zgjedhjet. “Unë e kam thënë që këto zgjedhje u shitën kohë më parë nga opozita. Nga opozita që në 26 korrik të 2024-s ia dhuroi Edi Ramës këtë Kod Zgjedhor. Ia dhuruan 12 mandate në tavolinë”, tha Alibeaj.