Rexhep Qosja në 89-vjetor, ASH: Një nga figurat më të shquara të kulturës dhe vetëdijes sonë kombëtare

Akademiku Rexhep Qosja festoi 89-vjetorin e tij. Ai është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar shumë recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera. Një ditë më parë edhe Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ndau një mesazh për akademikun Rexhep Qosja, me urimet më të përzemërta për shëndet të mirë, jetë të gjatë dhe vazhdimësi të frytshme në veprimtarinë e pasur krijuese dhe intelektuale. “Jeta dhe vepra juaj janë të lidhura pazgjidhshmërisht me historinë e mendimit shkencor, letrar dhe politik të botës shqiptare.
Me një veprimtari të gjithanshme e të pandërprerë, më shumë se gjysmëshekullore si studiues, shkrimtar, mendimtar dhe protagonist i proceseve kombëtare, ju keni qenë dhe do të mbeteni një nga figurat më të shquara të kulturës dhe vetëdijes sonë kombëtare. Kontributi juaj në historinë e letërsisë shqipe, në kulturën kombëtare dhe në çështjen shqiptare, drejtimi afatgjatë i Institutit Albanologjik të Prishtinës, krijimtaria si romancier dhe eseist, pjesëmarrja aktive në momente kyçe të historisë politike, përfshirë Konferencën e Rambujesë, si dhe zëri juaj kritik në mbrojtje të vlerave demokratike, kanë bërë që emri dhe vepra juaj të zënë një vend të përhershëm në kujtesën shkencore, letrare dhe shoqërore mbarëkombëtare”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Rexhep Qosja lindi më 25 qershor të vitit 1936 në Vuthaj të Malit të Zi. Në vitin 2000  akademikut Rexhep Qosja iu dha titulli “Nderi i Kombit”  nga presidenti i Republikës së Shqipërisë.