Ju mund të keni disiplinë, kryeni me përkushtim detyra të mërzitshme apo qëndroni për orë të tëra në punë. Por pavarësisht përkushtimit, ndodh që jeni duke humbur kohë në gjëra që nuk kishit planifikuar, si përdorimi i rrjeteve sociale apo platformave të tjera.Shkenca thotë se rreth 40% e sjelljeve të përditshme nuk janë vendime, por zakone, të ndërtuara nga përsëritja, konteksti dhe shpërblimet që merrni. Kur kryeni një veprim të përsëritur, truri mëson ta lidhë shkakun me veprimin, edhe nëse nuk është një veprim që ju sjell përfitim. Dhe këtu hyn në lojë ‘lufta’ në tru mes logjikës dhe kënaqësisë së momentit.Ndërsa korteksi prefrontal (pjesa e trurit që mendon dhe planifikon) ju thotë “jo”, korteksi orbitofrontal (që kërkon shpërblim të menjëhershëm) ju shtyn të vazhdoni. Në shumicën e rasteve, ky i fundit fiton. Jo se jeni të dobët, por sepse ai është i zhurmshëm, emocional dhe i shpejtë në veprim.“Forca e zakonit na bën të përqendrohemi në gjëra të tjera,” thotë Wendy Wood. “Forca e vullnetit është një burim i kufizuar, dhe kur ajo mbaron, ne kthehemi automatikisht te zakonet.”Kjo do të thotë se në momentet kur jeni të lodhur, të shpërqendruar apo të mbingarkuar, nuk jeni ju që po zgjidhni, është forca e zakonit që po vendos për ju.Ndaj, për ta ndryshuar, nuk mjafton vetëm dëshira. Duhet ndërhyrje e vetëdijshme, pikërisht në ato momente kur zakonisht dorëzoheni.Por çfarë mund të bëni për ta thyer këtë cikël?Jo të përdorni më shumë forcë vullneti. Në fakt, nuk duhet as të ndaloni menjëherë zakonin e keq. Sekreti është që, herën tjetër që e bëni, mos ta bëni automatikisht, por me vetëdije.Vëzhgoni veten në momentin që e bëni. Si po ndiheni? A po merrni ndonjë përfitim real? A ndiheni më mirë pas përfundimit?Në shumicën e rasteve, do kuptoni se kënaqësia është kalimtare dhe ndjenja që mbetet është pakënaqësia, zhgënjimi apo faji.Këtë reflektim nuk mjafton ta bëni një herë. Duhet ta përsëritni. Truri juaj ka nevojë të mësojë se shmangia e zakonit të keq, si dhe ndjesia pozitive që sjell përmbushja e një qëllimi, është më shpërblyese sesa kënaqësia e momentit.Me kalimin e kohës, të dy pjesët e trurit do të punojnë së bashku: logjika do të kujtojë arsyet, dhe emocionet do t’ju mbështesin për të shmangur vendimin.Kështu krijoni një zakon të ri, jo duke e shtypur të vjetrin, por duke e zëvendësuar me një ndjesi më të mirë, më të qëndrueshme dhe më të vlefshme për ju. / INC, Shqip.alKy është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gezon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetm duke cituar “Revista Monitor” shogëruar me linkun e artikullit origjinal.
Çelësi për të ndryshuar një zakon të keq? Një moment reflektimi
