Ngushtohet laku, njeriu i Belinda Ballukut merret i pandehur nga SPAK për abuzimet me tenderat, zëvendësja e Ramës…

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë të pandehur Jonaid Myzyrin, kreun e Komisionit të Prokurimeve Publike (KPP). Myzyri, njeriu i ngushtë i ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, është thirrur bashkë me avokatin, për t’u pyetur si i pandehur. Ai akuzohet për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera, e kryer në bashkëpunim. SPAK dyshon se Myzyri ka lejuar abuzime në procedurat tenderuese të zhvilluara nga Komisioni i Prokurimit Publik gjatë viteve 2020–2023.
Dyshimet lidhen kryesisht me mungesën e garës së ndershme në shumë prej këtyre procedurave, ku në shumicën e rasteve ka marrë pjesë vetëm një kompani, ndërsa në të tjera janë konstatuar skualifikime të dyshimta të operatorëve konkurrentë. Sipas një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, dëmi ekonomik i shkaktuar nga këto abuzime me tenderat përllogaritet të jetë mbi 2.5 miliardë euro. Kujtojmë se Myzyri ka qenë jurist tek kompania “Alko Impeks” e Arbër Abazit, teksa ky i fundit ka për bashkëshorte mbesën e Belinda Ballukut (vajzën e motrës). Kjo kompani ka parë një rritje të fortë gjatë viteve që në krye të vendit është e majta. Janë një numër i madh tenderash, nga veriu në jug, që janë fituar nga Arbër Abazi, herë edhe në shkelje të kritereve të prokurorimit.
Vartësit e Ballukut nën hetim nga drejtësia
Nga ana tjetër, nuk mund të mos vihet re një tjetër linjë e qartë dhe e rrezikshme që po forcohet ditë pas dite se thuajse të gjithë bashkëpunëtorët e Belinda Ballukut dhe vartësit  e saj po merren nën hetim, akuzohen dhe kanë përfunduar madje dhe në burg. SPAK ka marrë të pandehur disa ditë më parë administratorin e Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), Erald Elezi. Atij i janë komunikuar akuzat për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “shkelje e barazisë në tendera”. Bëhet fjalë për të njëjtin hetim ku është marrë i pandehur edhe drejtori aktual i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) Gentian Gjyli, i cili po ashtu u thirr në SPAK për t’iu komunikuar akuza. Mësohet se janë gjithsej 25 persona dhe 3 subjekte kompani, të cilët janë marrë nën hetim dhe u janë komunikuar akuza për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje e barazisë në tendera”, teksa bëhet fjalë për biznesmenë dhe zyrtarë publik, si edhe inxhinier të ARRSH-së. Mes tyre i pandehur është marrë sërish edhe ish- kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, të cilit i janë komunikuar akuzat e reja në qeli, ku ndodhet që prej 14 marsit të vitit kur u arrestua me urdhër të SPAK.
Burime bëjnë me dije se hetimi ka të bëjë me abuzimet me tenderat e rrugëve, teksa mësohet se janë mbi 10 praktika prokurimi të hetuara dhe dosja po hetohet nga prokurori Dritan Prençi. Ndër fondet dhe tenderat e abuzuar janë edhe ato të Eficencës së Energjisë elektrike të subvencionuar nga BE. SPAK vijon hetimet edhe për një tjetër fraksion me zyrtarë të lartë. Në kohën e ndodhjes së veprës penale Gjyli dhe Elezi asokohe ish anëtar i KVO vartës të Berberit. Mësohet se hetimi për këtë dosje ka nisur pas materialeve të sekuestruara nga celulari i ish-kreut të ARRSH Evis Berberi. Ky i fundit u arrestua vitin e kaluar, pasi gjatë kohës që ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, por dhe së fundmi në krye të ARRSH-së kishte dhënë 6 tendera kompanisë së ortakut të tij Valter Begaj dhe më pas fitimet i kalonin kompanisë që ai zotëronte në mënyrë indirekte. Të gjitha këto institucione, të cilat dyshohen për abuzime me prokurimet publike janë në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, të drejtuar nga Belinda Balluku.
Një tjetër zyrtar i lartë, i cili është nën hetim është edhe Ceno Klosi, ish-kreu i Tatimeve. Ai po hetohet për veprat penale të “korrupsionit”, “shpërdorimit të detyrës”, “mashtrimit” dhe “falsifikimit të dokumentave”. Prokuroria e Posaçme ka konfirmuar disa kohë më parë se hetimet ndaj tij u regjistruan mbi bazën e dy kallëzimeve të bëra nga Partia Demokratike. “Mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga grupi parlamentar i subjektit politik Partia Demokratike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.259/2023 datë 13.12.2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumentave” dhe “Mashtrimi””, njoftoi prokuroria.
Implikimi i Ballukut
Pra kur të gjithë drejtorët dhe vartësit po merret nën hetim, kur akuzat lidhen me tendera dhe vendimmarrje brenda këtyre institucioneve, a është e mundur që ata të kenë vepruar pa dijeninë dhe aprovimin e ministres? A duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe institucionale Belinda Balluku? Kjo situatë i jep një tjetër dimension skandalit, pasi nuk kemi të bëjmë me raste të veçuara, por me një strukturë të ngjashme me një çetë të organizuar zyrtarësh të lartë, që nga Berberi, Gjyli e deri te Elezi dhe më tej. E në krye të këtij rrjeti, qëndron “dirigjentja” e madhe e tenderave publikë  Belinda Balluku, e cila ka mbi dhjetëra dosje të hapura nga drejtësia.