Nga Julia Vrapi
Shfaqje me artistë nga vendi dhe shtete të tjera dhe që trajtojnë tematika të ndryshme janë pjesë e këtij viti në festivalin “Albamono”. Festivali ndërkombëtar i monodramës këtë vit ka nisur edicionin e tij të 21-të, duke u bërë edhe pjesë e jetës artistike dhe kulturore këtë sezon. “Medea” e Euripidit çeli festivalin ndërkombëtar të monodramës “Albamono”. Festivali nisi mbrëmjen e së hënës në Pallatin e Kulturës “Dhimitër Orgocka” Maliq që po restaurohet. Edicioni i 21-të i International Monodrama Festival “Albamono” pas përshëndetjes së kryetarit të Bashkisë Maliq z. Gëzim Topçiu, vazhdoi me shfaqjen “Medea” nga Euripidi, regjisor Klajdi Marku dhe interpretoi Darlin Dimo që u ndoq më interesin e të pranishmëve. Festivali këtë vit po zhvillohet në qytetet e Pogradecit dhe Maliqit edhe si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore.
Edmond Xhumari drejtor i festivalit “Albamono” edhe vitet më parë ka folur për rëndësinë e zhvillimit të tij, shfaqjet që sjell dhe artistët pjesëmarrës që janë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga shtete të tjera. Pak ditë përpara se të niste ky aktivitet drejtori Edmond Xhumari u shpreh në rrjete sociale për zhvillimin e edicionit të -21 të festivalit ndërkombëtar të monodramës “Albamono”, që sipas tij është i vetmi i këtij lloji në vendin tonë. “Jeni të mirëpritur të ndiqni shfaqjet me artistë profesionistë nga mbarë bota, që trajtojnë tematika të ndryshme. Oscar Wilde thotë :”teatri është më i shkëlqyeri ndër të gjitha format e artit, rruga më direkte përmes së cilës, një qenie njerëzore mund të ndajë me një tjetër, ndjesinë e të qenurit njeri”, shpërehej Edmond Xhumari ndër të tjera drejtor i “Albamono”. Festivali këtë vit u bë i munduar nga Bashkia Maliq, Ministria e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Bashkia Pogradec, si edhe nga donatorë të tjerë.
Pjesëmarrja e artistëve
Festivali këtë vit ka pjesëmarrjen e artistëve nga SHBA-ja, Shqipëria, Ukraina, Greqia, Kroacia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Maqedonia e Veriut, Polonia. Një event kulturor ndërkombëtar, që mbledhë së bashku artistë profesionistë të skenës nga 8 shtete të ndryshme. “Medea” është një nga tragjeditë më të bukura e më të fuqishme të Euripidit që hapi këtë festival, ndërsa nata e dytë e International Monodrama Festival “Albamono” vazhdoi në qytetin e Pogradecit me shfaqjen performancë “When it hurts you play”, autore dhe aktore Danijela Popovic dhe regjia Aleksey Burago. Festivali ndërkombëtar i monodramës “Albamono”, i themeluar nga mjeshtri i madh i skenës shqiptare Dhimitër Orgocka do të vijojë deri më 30 qershor, kur do të ndahen edhe çmimet për regjisorin më të mirë, aktorin më të mirë dhe monodramën më të mirë. Festivali ndërkombëtar i monodramës “Albamono” një vit më parë zhvilloi edicionin e tij të njëzetë. Siç është bërë tashmë traditë festivali bëri bashkë artistë nga disa shtete, ndërsa veprat që u interpretuan ishin me tematika të ndryshme.
“Medea” nga Euripidi çel festivalin ndërkombëtar të monodramës “Albamono”
