Parqet natyrore në rrezik! Paralajmërimi i deputetes së PD: Shkatërrimi i natyrës po ndodh para syve tanë

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka reaguar ndaj projektligjit për zonat e mbrojtura që është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Në një intervistë për mediat, Zhupa tha se ky është një ligj klinetelist dhe i ndërtuar për të favorizuar interesat e politikës dhe të oligarkëve.
Deputetja deklaron se me ndryshimet e reja ligjore, të miratuara në shkurt 2024, Shqipëria praktikisht nuk ka më zona të mbrojtura reale, pasi kontrolli mbi to i është lënë në dorë pushtetit politik dhe interesave të disa individëve.
“Rrezikojmë që në vend të natyrës së mbrojtur të kemi vetëm hotele e resorte” është shprehur ajo.
“Në lidhje me ligjin për zonat e mbrojtura, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe fakti që është pranuar për shqyrtim, tregon se në këtë padi ka problematika. Ne duam që të rrëzojmë ligjin. Shqipëria me këtë ligj të ri më shkurt 2024 nuk ka më praktikisht asnjë zonë të mbrojtur. Praktikisht, zona e mbrojtjes është lënë në dorë të orekseve të politikanëve dhe të oligarkëve. Mbrojtja e mjedisit ka të bëjë me një shëndet më të mirë dhe është pjesë e jetës së mirë. Duhet mbrojtur trashëgimia kombëtare dhe të krijohet eko-sistem i shëndetshëm. Këshilli i Ministrave e bënë këtë kufizim. Shqipëria rrezikon të mos ketë zona të mbrojtura, por mund të kemi hotele e resorte.
Natyra është pronë e përbashkët dhe jo e disa individëve. Në ligj ka dhe shkelje kushtetuese. Është lajm i mirë që ligji po diskutohet nga GJK. Por, duke marrë parasysh se jetojmë në Shqipëri, është një ligj që ka nga mbrapa miliona euro dhe mund të ndikojnë në vendim. Janë lobingje me para, influenca e pushtet politik dhe ekonomik e gjykata ka presion shumë të madh. Në një shtet normal, ne do e fitonim çështjen 100 përqind”, ka deklaruar ajo.